Clinton hetohet për shkelje të rregullores federale kur ishte Sekretare

03/03/2015 00:00

Përdorimi zyrtar i email-it personal të Hillary Clinton për të bërë biznes ndërkohë që ishte Sekretare e Shtetit është duke u hetuar si një shkelje e mundshme e rregullores federale.

E megjithatë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit reagoi gjatë së hënës duke thënë se Hillary Clinton nuk ka pasur një llogari zyrtare email-i në DASH, gjatë kohës që shërbente si kryediplomate e Amerikës, ndaj dhe përdorte email-in personal përgjatë 4 viteve në detyrë.

“New York Times” ishte e para medie amerikane që raportoi për përdorimin e email-it të Clintonit, mbrëmjen e së hënës. Por, përdorimi i një llogarie personale si metodë të vetme komunikimi duket se shkel rregullat e përcaktuara nga Administrata për Arkivën dhe Dokumentet Kombëtare.

Agjencia shtetërore përcakton që email-et personale mund të përdoren vetëm në “situata emergjence” dhe, kur përdoren, “mbahen dhe menaxhohen në përputhje me praktikat e agjencisë së ruajtjes”.

Sipas raportimit të “NY Times”, “ndihmësit e Clintonit nuk morën masa për të ruajtur email-et e saj personale në serverat e DASH në kohën e duhur”.

Nick Merrill, zëdhënës i Clintonit, tha për CNN se “ashtu sikurse dhe Sekretarët e Shtetit përpara saj, ajo përdorte llogarinë e saj personale kur kishte marrëdhënie me ndonjë zyrtar të Departamentit”.

“Ndërkohë, për çështje qeveritare, ajo lidhej me ta duke i kontaktuar në llogaritë e tyre zyrtare të DASH, me shpresën se ato do të ruheshin”, tha ai në një deklaratë me shkrim. “Kur Departamenti i pyeti ish-Sekretarët gjatë vitit të kaluar për t’u siguruar nëse email-et e tyre ishin duke u ruajtur, ne u përgjigjëm menjëherë po”.

Pavarësisht se Clinton ka përdorur email-in e saj personal, të gjitha email-et e saj drejt llogarive të zyrtarëve qeveritarë do të arkivohen si email-e të marra nga “njerëz të zakonshëm”. Ndërsa komunikimet e saj me njerëz që nuk kanë përdorur email-e qeveritare, nuk do të ruhen automatikisht.

Gjithsesi, Merrill shton se të dhënat e saj ishin ruajtur dhe iu dorëzuan Shtetit. “Qoftë rregullorja e shkruar, ashtu edhe ajo e pashkruar lejonin zyrtarët e DASH të përdornin email-e joqeveritare, për sa kohë që të dhënat e duhura do të ruheshin”, përfundon Merrill.

Zyrtari i lartë i DASH tha se edhe Sekretarë të mëparshëm të Shtetit kanë përdorur email-e personale për të komunikuar me stafin, përfshi këtu Sekretarin Colin Powell.

“Si rezultat, politikat tona po vazhdojnë të evoluojnë, përfshi edhe mënyrën sesi këto politika përshtaten me zyrtarët më të lartë”, tha ai. “Të gjithë ne e dimë se implementimi i ndryshimeve në qeverinë federale mund të jetë një proces i vështirë”.

Email-et e Clintonit kanë qenë në qendër të debatit në lidhje me hetimin e komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi sulmin në Bengazi, ku mbetën të vrarë 4 shtetas amerikanë përfshi ambasadorin. Republikanët kishin kërkuar nga DASH të dorëzonte email-et që Clinton u kishte dërguar zyrtarëve të lartë të shtetit. Clinton ra dakord të dëshmonte në këtë komitet në fund të 2014-s, sipas demokratëve në panel, por kreu i komitetit tha se nuk do ta thërrisnin atë deri sa të sigurohen të gjitha email-et.

Jen Psaki, një zëdhënëse e DASH, tha përmes një deklaratë të së hënës, se që kur komiteti i përzgjedhur kërkoi email-et, “DASH është angazhuar në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme në përgjigjet ndaj kërkesave të Komitetit”, përfshi edhe “dorëzimin e dokumenteve prej më shumë se 40 mijë faqesh”.

Rivali potencial i saj, Jeb Bush, i cili ka publikuar së fundi mijëra email-e nga koha kur ishte guvernator i Floridas, e shfrytëzoi këtë zbulim si një mundësi për të bërë krahasime.

“Hillary Clinton duhet të publikojë email-et e saj. Shpresoj që ajo të mos i ketë shkatërruar ato”, tha zëdhënësi i Bushit, Kristy Campbell. “Guvernatori Bush beson se transparenca është një pjesë kritike e shërbimit publik dhe qeverisjes. Ndaj publikoi së fundi email-et e tij në uebsajtin dedikuar enkas atyre”.

Top Channel