Vrasja e Nemtsov, Kasparov: S’ka më shpresa për tranzicion politik paqësor në Rusi. Duhet kryengritje e dhunshme

02/03/2015 00:00

Vrasja e kritikut të ashpër të Kremlinit, Boris Nemtsov ka shuar çdo shpresë për një tranzicion paqësor politik në Rusi, përtej Qeverisë së presidentit Vladimir Putin, deklaroi Garry Kasparov gjatë një interviste të së dielës.

Kasparov, një ish-kampion bote në shah, i cili jeton në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara, ofroi një pikëpamje të zymtë për opozitën ruse pas vrasjes së Nemtsovit, vetëm pak metra larg Kremlinit mbrëmjen e së premtes.

“Boris shpresonte, më kot nga sa kuptojmë ne, të shihte forma të tranzicionit paqësor për një qeveri normale, të civilizuar dhe demokratike”, tha Kasparov për “Reuters”, duke e përshkruar Nemtsovin si një prej avokatëve më të rëndësishëm të Rusisë për shprehje jo të dhunshme politike.

“Nuk shoh mundësi për Rusinë tashmë, që të largohet nga diktatura brutale e Putinit, drejt një qeverie më të butë ashtu siç kemi dashur edhe 10 vjet më parë”, tha ai, duke parashikuar se do të duhej vetëm një kryengritje masive dhe të dhunshme, që ndryshimi të bëhej realitet.

Nemtsov, 55 vjeç, ka qenë një prej figurave më udhëheqëse të një opozite të përçarë dhe të përvuajtur për të rigjallëruar shpresat e saj, 3 vite pas mitingjeve masive kundër Putinit, të cilat dështuan të ndalonin rikthimin e tij në Presidencë, pas mandatit 4-vjeçar si kryeministër.

Autoritetet ruse kanë sugjeruar se ndoshta fshihet vetë opozita pas kësaj vrasjeje, në përpjekje për të krijuar një martir për të bashkuar një lëvizje të copëtuar.

Kasparov iu bashkua mbështetësve të Nemtsovit, të cilët dyshojnë se autoritetet ruse janë në fakt përgjegjës për vrasjen, duke u dhënë kështu një mesazh të qartë aktivistëve anti-Putin.

“Është një sinjal ndaj kujtdo, që përfshihet në aktivitetet e opozitës, që të mos guxojnë sepse do të humbasin”, tha Kasparov. “Ne nuk do të harxhojmë kohë duke të të persekutuar, duke pretenduar se po respektojmë rendin dhe ligjin. Ne thjesht të eliminojmë”.

Kasparov tha se nuk kishte nevojë për truproja në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ndihet aspak në rrezik, për sa kohë që jeton jashtë Rusisë. Ai tha gjithashtu se nuk do të rikthehej në Moskë, qoftë edhe për të marrë pjesë në shërbimin funeral të Nemtsovit.

“Nuk preferoj të blej bileta udhëtimi me një kah lëvizjeje”, tha ai.

I pyetur nëse kishte ndonjë strategji politike për të ecur përpara, Kasparov u tregua i hapur duke thënë se “nuk kam asnjë strategji. Kjo nuk është një lojë shahu, pasi në shah kemi rregulla për të zbatuar.

Ai shtoi gjithashtu se tashmë ka shumë pak hapësira për aktivistët politikë në Rusi për të lëvizur, e jo më për të zhvilluar një strategji politike. “Çfarë lloj strategjie mund të ndërtosh, nëse ti jeton me idenë se mund të vritesh?”, tha ai.

Top Channel