Ukraina, Kerry takim me Lavrov, do të flitet edhe për Nemtsov

02/03/2015 00:00

Gjeneva është sot teatri i takimit të parë Kerry-Lavrov që kur Sekretari amerikan i Shtetit e akuzoi Moskën se po gënjen për rolin e saj në Ukrainë.

Bisedimet mes dy krerëve të diplomacive të dy prej shteteve më me peshë të globit koinçidojnë me raportin e OKB-së mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krizës humanitare në lindje të Ukrainës.

Kombet e Bashkuara e ngritën bilancin e viktimave të konfliktit në 6.000, me qindra jetë të humbura vetëm javët e fundit.

Por, Kerry në takim nuk do të prekë vetëm këtë çështje. Me shumë gjasë, në fokusin e bisedës me homologun rus do të vihet edhe ekzekutimit brutal i njërës prej figurave më të rëndësishme opozitare në Rusi. Boris Nemtsov u qëllua me katër plumba pas shpine teksa kalonte në një urë shumë pranë Kremlinit.

55-vjeçari ishte organizatori kryesor i tubimit masiv të së dielës kundër luftës në Ukrainë dhe thuhet të ketë qenë duke punuar mbi një raport i cili do të ekspozonte praninë e trupave ruse në shtetin fqinj të mohuar me forcë nga Moska.

Aleatët e tij menjëherë fajësuan Kremlinin për vrasjen e bujshme, megjithatë Vladimir Putini u distancua që në fillim me etiketimin e episodit si “akt të ulët” dhe zotimin për t’i gjetur vrasësit e për t’i nxjerrë para drejtësisë. Kerry pritet të këmbëngulë për një hetim të plotë e transparent, i cili të përqendrohet jo vetëm tek personi që tërhoqi këmbëzën, por edhe tek ata që urdhëruan, financuan dhe koordinuan vrasjen e Nemtsovit.

Nuk ka ende një pistë të qartë për vrasjen, ndërsa teoritë e komplotit lulëzojnë. Flitet ndër të tjera për atentat të nxitur nga interesat e binzesit, për një sherr të përshkallëzuar në dhunë brenda opozitës ruse, për një vepër të nacionalistëve të tërbuar vendas, blogerët rusë përmendin CIA-n e thonë: “ka njerëz sot që do të marrin një promovim”.

Përpos këtyre, janë edhe komentet e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, i cili pretendon se shërbimet perëndimore të inteligjencës po përpiqen me çdo kusht të shkaktojnë një konflikt të brendshëm në Rusi.

Top Channel