Turqi, Partia e Kurdëve gati të ulë armët

02/03/2015 00:00

Apelet e kryetarit të Partisë Punëtore të Kurdistanit, Abdullah Oçalan, për fundin e luftës së armatosur kundër shtetit turk, kanë ripërtërirë shpresat se fashitja e një lufte më shumë se 30-vjeçare, tashmë mund të jetë shumë pranë.

Deklarata e liderit të PKK-së, në burg që prej vitit 1999, u përshëndet në takimin e disa parlamentarëve kurdë me përfaqësues të qeverisë turke në Stamboll si “shprehje historike e vullnetit” për zgjidhjen e një ngërçi dhjetëravjeçar. Oçalani është përfshirë prej dy vjetësh në negociata me ekzekutivin turk, qëllimi i të cilave është gjetja e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.

Thirrjet e kreut të PKK-së nuk do të mbeten thjesht fjalë: uljen e armëve kjo parti duhet ta vulosë zyrtarisht në kongresin e saj të pranverës. Shpresat për fundin e paqtë të përplasjeve të përgjakshme me kurdët kanë zenë vend qendror në politikën e brendshme të Turqisë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit.

Sipas ekspertëve, përmbyllja e suksesshme e negociatave me Oçalanin do të shtonte ndjeshëm mbështetjen për qeverinë aktuale të Ahmet Davutoglu. Konflikti i përgjakshëm me PKK-në i ka fillesat në vitin 1984 e në tre dekada dhune ka marrë më shumë se 40.000 jetë njerëzish.

Gjatë viteve të luftës, mijëra fshatra u shkatërruan në zonat e kurdëve në Anadollin juglindor e miliona vetë braktisën shtëpitë për t’u zhvendosur diku tjetër brenda vendit, apo për t’u larguar edhe jashtë kufijve. PKK-ja e transportoi terrorin edhe në pjesë të tjera të vendit, ndërsa shteti turk nuk mbeti dhe ai më pas me ekzekutimet e panumërta pa gjyq të bëra kurdëve. Por, tashmë duket se të dyja palët e kanë kuptuar që fundi i kësaj situate nuk do të vijë me dhunë e mjete ushtarake.

Për momentin, nuk dihet shumë mbi përmbajtjen e negociatave, përveç kërkesave të kurdëve të ditura tashmë për vetëvendosje më të madhe rajonale e kulturore dhe të drejtën e gjuhës, sidomos në arsim.

Top Channel