Andrea Stefani – Si edhe në jo pak raste të tjera, duket se PD po
përpiqet të shfrytëzojë politikisht, në funksion të luftës për pushtet,
një konflikt që ka shpërthyer mes një mase studentësh të infermierisë,
dhe Ministrisë së Arsimit lidhur me tarifat e shkollimit.
Dhe ndërsa duhet të pohojmë që në krye të herës se studentët kanë të drejtë në kërkesën e tyre, nuk mund të mos vlerësojmë si të pajustifikueshme radikalizmin prej tyre të protestës në grevë urie në një kohë që kanë refuzuar të përdorin të gjithë mekanizmat, si për shembull institucionin e Avokatit të Popullit, që sistemi i institucioneve ofron kundër diskriminimit. Një refuzim prapa të cilit na duket se fshihet një qëllim për ta nxjerrë problemin nga pista e një zgjidhjeje plotësisht të mundshme ligjore dhe për ta futur sforcërisht në atë të një zgjidhjeje politike në sinkron me ambicien e shfaqur të PD për sa më shumë konflikte që mund të çonin në zgjedhje të parakohshme.
***
Nuk na duket fare i drejtë vendimi i qeverisë që studentët e universiteteve të mbyllura private të transferohen në ato publike duke paguar tarifa 7-fish më të larta siç po dëgjojmë se ka ndodhur me disa studentë të Infermierisë. Fakti që këta studentë kanë pranuar këtë marrëveshje (ata i dinin tarifat që në fillim) apo që po pranohen pa konkurs në një universitet publik, nuk e zhbën diskriminimin. Sepse mbi të gjitha, nuk duhet harruar se fajtor për gjendjen e tyre është në radhë të parë qeveria e djeshme (pra ajo që sot u del në krah studentëve nga stoli i opozitës) që ka toleruar për vite me radhë aktivitetin pa standarde të disa universiteteve private që rezultuan mashtruese si piramidat financiare. Nga ky këndvështrim, studentët janë viktima të një keqqeverisjeje dhe ata mund të quhen fajtorë aq sa mund të quhet fajtor një konsumator që shpenzon paratë e tij për ushqime të skaduara të toleruara në treg nga agjencitë qeveritare. Në këtë kuptim qeveria e sotme, kishte për detyrë t’i dilte në mbrojtje viktimave të mashtruara edhe pse nga një skemë piramidale arsimi, jo përgjegjësi e drejtpërdrejtë e saj. Dhe më e pakta që mund të bënte ishte zbatimi i ligjit, në rastin e transferimit të studentëve në fjalë, në universitetet publike, pa i diskriminuar në tarifa, por duke bërë përshtatjet e nevojshme bazuar në dijet pra, në meritën. Por ta penalizosh atë me një tarifë 7-fish më të lartë sepse, siç dëgjoj të justifikohen, sa “ka hyrë pa konkurs në universitet publik” është e gabuar, sepse ngatërron cilësinë me sasinë. Paraja nuk mund të shërbejë si masë apo kompensuese e meritës, e dijeve. Prandaj, mendojmë se në këtë pikë Ministria e Arsimit ka gabuar.
***
Ndërkaq, kemi mësuar se pas futjes së studentëve në grevë urie në një nga mjediset e Fakultetit të Mjekësisë, pranë tyre ka vajtur edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, duke u ofruar ndihmë. Mjaftonte që ata të bënin një ankesë pranë institucioneve të tij, dhe që sot do të kishim një kërkesë të drejtuar nga ky institucion qeverisës. Më pas, po Avokati i Popullit, mund t’i drejtonte një kërkesë edhe Gjykatës Kushtetuese. Por mësojmë se studentët grevistë kanë refuzuar ndihmën e Avokatit të Popullit dhe duhet të sqarojmë, se ky institucion, aktivizohet shumë më lehtësisht nëse pranë tij paraqitet një ankesë. Studentët kanë refuzuar edhe pse Avokati i Popullit ka ofruar ndihmë edhe një herë tjetër, këtë radhë pasi ata janë nxjerrë prej policisë nga greva e urisë. Përse? Përse nuk i janë drejtuar as një tjetër institucioni, atij të Komisionerit kundër Diskriminimit, që është institucioni i shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga administrata publike, por edhe nga subjektet private?
***
Shpjegimi është vetëm politik. Greva dhe studentët po tentohen të manipulohen për qëllime politike në vazhdën e gjakimit të PD për të ardhur në pushtet sipas një skeme që e kemi parë ne të ndodhë në prag të rënies së diktaturës komuniste. Por problemi që ka PD dhe lidershipi i saj, është se sot nuk kemi më një diktaturë komuniste (sado që Berishës dhe Bashës do ia kishte qejfi të ishte kështu) dhe se këmbëngulja për të kundërtën është shprehje e një skizofrenie politike që refuzon të lexojë realitetin siç është, ose nuk është në gjendje ta perceptojë siç është. Vetëm këtij gjakimi dhe kësaj patologjie politike nuk i leverdis që çështja e studentëve të futet në hullitë juridike të sistemit duke gjetur zgjidhje brenda tij. Atij i leverdis e kundërta, që shqetësimi i studentëve të shërbejë si benzinë që e ndez edhe më shumë konfliktin politik, mosmarrëveshjen. I leverdis që të ketë grevë urie, ndërhyrje të policisë, akuza dhe kundërakuza se kush e ka drejt dhe kush gabim, akuza për rrahje e burgosje studentësh nga policia që nuk sqarojnë asgjë, por fryjnë antagonizmin mes shtresave të shoqërisë dhe legjitimojnë gjakimin e fshehtë të arkitektëve jo aq të fshehtë që qëndrojnë prapa tyre: vajtjen në zgjedhje të parakohshme. Dhe është ironike, por edhe tragjike të mendosh, se zemberekun e gjithë kësaj rrëmuje e konflikti mund ta kenë kurdisur pikërisht ata që toleruan universitetet piramida, që studentët e mashtruar nga universitetet piramida të hyjnë në grevë jo për të zgjidhur hallin që i ka zënë, por që të kthehen në pushtet pikërisht ata që në 8 vjet korrupsion e papërgjegjshmëri ia u shkaktuan këtë hall? Kjo është të tallesh me studentët, shqiptarët, demokracinë dhe me shtetin. Por kjo është që edhe disa studentë të tallen me fatet e tyre. E si të mos të të vijë pastaj ndërmend grotesku historik i Berishës që edhe i toleroi për qëllime pushtet-piramidat financiare, edhe i kërcënohej pastaj pa pikë turpi Fatos Nanos: Ktheju shqiptarëve paratë!
Top Channel