Nuk ka fitues në “Olimpico”, Roma-Juventus përfundon në barazim

02/03/2015 00:00

Superndeshja e javës së 25-të në Serinë A, Roma-Juventus ka përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1.

Një 90-minutësh me një ritëm tejet të lartë është zhvilluar në “Olimpico”, ku vendasve i duhej patjetër një fitore për të mbajtur gjallë shpresat për titull, por kampionët e Italisë arritën të merrnin 1 pikë nga kjo ndeshje edhe pse ishin shumë afër fitores.

Edhe pse në pjesën e parë loja ishte e hapur dhe me raste për të dyja ekipet, rezultati mbeti i pandryshuar, ndërsa gjithçka u vendos në 45 minutat e dyta.

I përhershmi, Carlos Tevez, ishte autor i golit të parë për Juventusin në minutën e 62-të. Argjentinasi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga rreth 25 metra. Ky gol u realizua vetëm dy minuta pasi kryeqytetasit u ‘tradhtuan’ nga greku Torosidis, i cili u largua me kartonin e kuq.

Edhe pse të gjendur me një lojtar më pak, lojtarët e Garcia-s gjetën forca dhe arritën të shënonin golin e barazimit, në minutën e 78-të me Keita.

Pas kësaj ndeshje, diferenca mes vendit të parë dhe vendit të dytë vazhdon të mbetet 9 pikë, ku Juventusi ndodhet në kuotën e 58 pikëve, ndërsa Roma me 49 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA