Rruga nga Maliqi drejt Lozhanit, rreth 17 kilometra, shkon shpejt. E megjithatë, pa mbërritur ende në qendër të Komunës, ajo dredhon tej duke nisur të ngjitet në zona – të paktën në dukje – të shkreta.

Janë mëse 5 kilometra të tjera, që duken të hapura që në kohët e prehistorisë. Vende-vende kalimi, edhe me një makinë të lartë, bëhet i vështirë. Dikund nga rëniet e gurëve, e dikund nga ngricat, që sa vijnë e shtohen.

“Mes maleve ka jetë edhe pse shpesh kjo harrohet apo lihet mënjanë. Zona të tëra duket sikur nuk ekzistojnë as në hartë, pa asnjë mbështetje, pa asnjë përkrahje, a thua se i përkasin një tjetër realiteti”.

Desmira duket sikur ka më shumë shtëpi të rrëzuara sesa njerëz. Dikur fshati merrte frymë përmes mëse 110 familjeve, ndërsa sot ato janë tkurrur në 22. Kullat e mëdha imponuese, edhe pse më së shumti të gjunjëzuara, flasin për historinë e fshatit, që çehren e rëndë të dikurshme e ka fshehur pas problemeve të pafundme të sotme.

“Ikën, e panë që nuk rronin dot këtu në këtë fshat dhe ikën. Nuk na ka ardhur njëri të na pyesi sesi i kemi hallet”, thotë Shyqyri Dinoshi, banor.

Izolimi si pasojë e rrugës e ka ngërthyer fshatin në një apati të plotë. Të zbresësh me një mjet, jo më larg se deri në qendër të Komunës, e të rikthehesh sërish këtu kushton 120 lekë, çmim ky që shumica nuk mund ta përballojnë. Do t’u duhej t’u hiqnin vetes e familjes edhe ato pak të ardhura, me të cilat mbahen, ndaj thuajse të gjithë rrugën e marrin në këmbë. Qoftë kjo edhe për një të sëmurë, që mund të zbritet në krahë apo me kafshë.

“Kur u sëmur njëri, e mbajtëm me rrëzoma, apo me kuvertë mbuluar. S’kemi me se të shkojmë, çdo njeri është i detyruar të vdesë, sepse s’ka makinë të shkojë. Madje s’ka fshati ynë s’ka as rrugë. Të gjithë fshatrat u bënë me rrugë, vetëm yni jo”, thotë Reshat Xhemollari.

Nëse dikush mendon se zona të tilla kanë pasur e do të kenë domosdoshmërisht një fat të tillë, gabon, sepse dikur Desmira ka qenë shumë ndryshe. Ka pasur një qendër shëndetësore me një mjek të përgjithshëm, një pediatër e dhoma me shtretër për lindje. Ka pasur një shkollë fillore me dy klasa nga 25 nxënës, ndërsa sot, të arsimohesh përbën një sfidë mëse të vështirë për fëmijët e fshatit.

“Të rinjtë janë të detyruar të largohen, të marrin rrugën e emigrimit, ndaj fshati është braktisur shumë. Fëmijët janë të detyruar të bëjnë më shumë se 6 kilometra në ditë për të shkuar deri në fshatin Lozhan, më i afërti ku ka shkollë”, tha Syrija Dinoshi.

Në qendër ngriheshin dyqanet, sot furnizimet bëhen kilometra larg. Ka pasur një muze, që është shuar nga mosmirëmbajtja, e mbi të gjitha një bujqësi e pemtari të zhvilluar. Fshati prodhonte mëse 280 kuintal qershi, 3 mijë kuintal mollë, e po ashtu grurë e fasule. Kishte ujë për gjithçka, ai vinte përmes një kanali vaditës rreth 18 kilometra të gjatë, që mbante me ujë 5 fshatra të zonës. Sot vështirë se gjen edhe për të pirë.

“Punojmë gjemba dhe marrim gjemba, se nuk ka më as punë të thellë në tokë, siç ishte qëmoti, nuk bëhet as punimi i tokës me traktor. S’ka as infrastrukturë tjetër. Në këto kushte, edhe atë prodhim që bëhet, sot më mirë hidhe atje poshtë, sesa ta çosh në Korçë për ta shitur. Më shumë të shkon shpenzimi që bën ti gjatë ditës duke lënë ditën e punës, dhe shto shpenzimet e vajtjes, edhe sikur ta shesësh prodhimin, prapë del pa asnjë fitim”, thotë Agim Xhemollari.

“Këtu traktori s’punon, atë tokë që punojnë fshatarët e punojnë me gomerë, me kuaj, me krahë, duke e bërë pikën më të dobët. Deri dje, këtu vinin 10 traktorë para se të prishej sistemi, sot s’vjen një traktor. Është katandisur fshati aq shumë, sa nuk rrohet”, thotë një tjetër banor.

Rrugicave duket sikur shtëpitë flasin, gërmadhat mërmërisin e dritaret e boshta ngjasojnë të vetmuara. Dikur mes tyre ikinin e vinin banorët e shumtë, me hapat e shpejtë, ndryshe nga sot, ku mes tyre ngre krye veç heshtja.

Kanë bërë peticione, letra të firmosura, kërkesa e shumëçka tjetër, për të marrë asgjë më shumë sesa përgjigjen që ka qenë gjithmonë e njëjtë: një premtim që ka fluturuar shpejt.

“Kërkesa janë bërë disa herë, edhe në emër të fshatit, i kemi çuar pranë Komunës. Me to, zakonisht çdo vit i është hedhur rreth 20-30 metra kub zhavorr rrugës, shllak. Ai nuk rron deri në shirat e para dhe zhduket nëpër arrat e njerëzve dhe në lumë”, thotë Zenel Dinoshi, kryeplaku i fshatit.

“Jo s’kanë bërë gjë, kanë ardhur herë pas here, por nuk bëjnë”, thotë Fazlli Dinoshi.

Banorët e Desmirës nuk kërkojnë dhurata, as investime të çuditshme të mbushura me fjalë të mëdha. Kërkojnë strategji zhvillimi, duke filluar nga elementët më minimale për të jetuar. Për të jetuar këtu në këtë vend, ku kanë qenë brez pas brezi, për të mos kërkuar çdo mëngjes të largohen rrugëve të zonave urbane, apo më larg në emigracion. Por për të ndërtuar një të ardhme në këtë tokë, që sot është braktisur. Ata duan që zëri i tyre të ndihet, e që ndoshta më pas dikush të kujtohet, se mes maleve ka ende jetë.

Top Channel