“Exclusive”, gjithçka mbi hapjen e dosjeve në Gjermani dhe pritshmëritë në Shqipëri

01/03/2015 00:00

Gjermania prej 25 vitesh vijon me procesin e hapjes së dosjeve të STASS-it, një proces të cilin kërkon ta përqafojë tanimë edhe Shqipëria. Por, a duhet të hapen të gjitha dosjet e sigurimit të shtetit dhe a duhet të bëhen publikë emrat e bashkëpunëtorëve të sigurimit?

Drejtori i autoritetit për hapjen e dosjeve në Berlin, zoti Roland Jahn, në një intervistë në “Exclusive” sqaroi eksperiencën gjermane dhe dha këshilla për rrugën në të cilën ne duhet të ecim.

TCH: Zoti Roland Jahn, ju jeni Komisioneri Federal për Procesverbalin e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit në Gjermani dhe keni një eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Gjatë kësaj interviste ne duam të kuptojmë më shumë rreth zbatimit të këtij ligji në Gjermani, përgjatë këtyre viteve, pasi ky do të jetë shembulli bazë që Shqipëria kërkon të përqafojë.

Roland Jahn: Në Gjermani thoshim se helmi i STASS-it do të vazhdojë t’i dëmtojë njerëzit, nëse populli nuk e merr informacionin. Një tjetër pikë e rëndësishme është që këto dosje duheshin bërë publike, në mënyrë që bashkëpunëtorët e Shërbimit Sekret të mos e vazhdonin punën e tyre në Gjermaninë e re të bashkuar, që të mos e vazhdonin karrierën në hundën e të gjithë të tjerëve, me një të shkuar në policinë sekrete. Që prej hapjes së arkivave, më shumë se 1.7 milionë njerëz janë analizuar në bazë të këtyre të dhënave, për të kuptuar të shkuarën e tyre dhe për të diskutuar raste që mund të kishin lidhje me STASS-in, në mënyrë që të vendosej se çfarë duhej bërë.

TCH: Ligji gjerman është i përqendruar më shumë te transparenca apo te lustracioni?

Roland Jahn: Në Gjermani i kemi bërë të dyja që në fillim. E kemi parë lustracionin njësoj si transparencën sepse zbulimi i emrave të njerëzve të përfshirë është po aq i rëndësishëm. E vetmja mënyrë për të pasur demokraci është të kesh pastërti dhe fakte për të shkuarën. Duhet të dihet se kush ka punuar në të shkuarën për Policinë Sekrete në mënyrë që të flitet për të. Por lustracioni shpesh nuk është shumë i suksesshëm, sepse veprojmë sipas ligjit dhe ligji nuk do të thotë se patjetër ka arsye për të lëvizur njerëzit nga vendet e punës që kanë.

TCH: Ky projektligj synon hapjen e dosjeve për të gjithë ish-të përndjekurit politik dhe mundësinë që ata të njohin edhe identitetin e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit. Po ju kështu keni vepruar?

Roland Jahn: Në Gjermani ne vendosëm të bëjmë transparencën e të gjitha veprimtarive të kryera nga shteti, bashkëpunime zyrtare dhe jo zyrtare, funksionarët në parti, në sistemin ligjor, por edhe oficerët e vetë STASS-it. Emrat e tyre do të shiheshin gjithnjë kur të futesh te këto të dhëna. Por kemi vendosur edhe një sistem shumë të fortë për mbrojtjen e të dhënave, për palët e treta dhe për viktimat, për të gjithë ata që ishin ndikuar nga veprimet e shtetit dhe nga agjentët e shtetit. Kushtetuta jonë mbron privatësinë dhe kontrollin e të dhënave, por për ata që kanë vepruar në emër të shtetit duhet të jetojnë me faktin që emrat e tyre do të përmenden.

TCH: A ka pasur raste në Gjermani, ku pas hapjes së dosjeve kanë ndodhur tragjedi?

Roland Jahn: Kemi pasur me miliona njerëz që lexojnë dosjet e tyre. Ata kanë mësuar gjera të tmerrshme edhe tradhti nga miqtë më të mirë, ndonjëherë edhe tradhti nga qarqet e ngushta familjare, por deri më sot nuk ka pasur asnjë rast hakmarrjeje. Gjithnjë ka qenë më e rëndësishme, të mësuarit për të shkuarën, të kuptuarit e fakteve për të shkuarën. Tani këta persona e dinë që nuk mund të fshihen më nga faktet. Në disa raste, diskutimi ka qenë shumë i dobishëm, sepse viktimat dhe tradhtarët janë përballur me njëri-tjetrin për të gjetur mënyra për të kapërcyer atë që ndodhi. Shpesh nuk janë takuar më, sepse e dinin se mes tyre nuk ka më lidhje besimi. Ndonjëherë ka pasur edhe nisje të miqësive të reja.

TCH: Por si mund ta shmangim këtë në Shqipëri, kur ne kemi një tjetër kulturë?

Roland Jahn: Edhe po të mbahen të mbyllura dosjet, rreziku i dhunës, për shkak të së shkuarës, mbetet i hapur. Nëse dosjet mbeten të mbyllura, ata që dinë për këto dosje mund ta përdorin këtë njohuri, ‘fuqi helmuese të tyre’ pa pasur kontroll. Është shumë e rëndësishme të kesh një bazë faktesh për të kuptuar sesi funksiononin gjërat, thjesht duke parë dosjet. Ne nuk ishim të vetmit që i hapëm dosjet. Vende të tjera të Europës Lindore u përpoqën që t’i hapnin dosjet edhe pse 10 vjet më vonë se ne, u desh më shumë kohë për ta. Dua të jap shembullin e Polonisë. Në këtë shtet, ka pasur konflikte në lidhje me të shkuarën kur dosjet ishin të mbyllura, ndërsa kur ato u hapën konfliktet mundën të zgjidhen bashkë me ato që kishin shkruar këto dosje.

TCH: A duhet të hapen dosjet e bashkëpunëtorëve në Shërbimin Sekret kur ata kanë pasur lidhje familjare me personat e kallëzuar?

Roland Jahn: Sidomos në këto raste personale, transparenca për të shkuarën është një mënyrë e mirë për të kuptuar transparencën e Policisë Sekrete, sepse njerëzit këtu mund të flasin hapur për atë që ka ndodhur mes tyre. Duhet të jesh shumë i hapur për të shkuarën. Nuk duhet parë më me klishenë “ai është i tradhtuar, e urrej”. Nëse nuk futesh në këtë bisedë me pika diskutimi nuk do të kesh një debat domethënës, duhet të përgatitësh për situatën.

TCH: Në Gjermani janë hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Shërbimit Sekret. A mendoni se edhe në Shqipëri duhet të bëhen publik emrat e këtyre bashkëpunëtorëve.

Roland Jahn: Në Gjermani i quajnë bashkëpunime jozyrtare. Në fund të vitit 1989, kishim 180 mijë persona që kishin emrat në dosje, mund të shihen edhe sot, edhe nga gazetarët. Ne mund të themi vetëm se cila është përvoja jonë e mirë. Nëse e gjykon në kohën e sotme, unë nuk mund të them se çfarë duhet bërë në Shqipëri. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur nga shoqëria juaj. Por ne, pas 25 vitesh, kemi përvoja pozitive me procesin e hapjes së dosjeve, sepse kemi mundësinë për të diskutuar sesi funksiononin këto mekanizma. Shtypi është përqendruar më shumë mbi bashkëpunëtorët jozyrtarë. Kryesisht, këta persona janë fajësuar për gjithçka që ka ndodhur përgjatë diktaturës, pa parë mekanizmat më të mëdha të asaj kohe. Fakti që fshiheshin pas sekretit shtetëror dhe tani mund t’i bësh publike është tërheqës dhe i bujshëm për publikun, ndaj edhe shtypi u përqendrua më shumë te to.

TCH: Neni 28 i projektligjit shqiptar parashikon që çdo funksionar i lartë do të shihet nëse ka apo jo dosje. Ju si keni vepruar në Gjermani? A shkel ky nen të drejtat dhe liritë personale të individit?

Roland Jahn: Mënyra jonë ishte që, nëse ke punuar për regjimin e mëparshëm emri juaj duhet të bëhet transparent. Nëse ke punuar për Policinë Sekrete, i cili është i gjithë thelbi për ta kuptuar diktaturën, emri yt është i lidhur me të. Vetëm nëse je agresor dhe ke punuar për STASS-in informacioni yt është personal dhe i mbrojtur. Detajet intime, familja, mbase edhe problemet shëndetësore nuk kanë lidhje me të kuptuarin e diktaturës dhe mbetet informacion sekret. Nuk mund të kërkosh të drejta për veprimet e tua, por në emër të shtetit. Emri yt do të bëhet publik për atë që ke bërë në regjimin e shkuar.

TCH: Nëse një funksionar i lartë ka dosje, a duhet të japë ai dorëheqjen?

Roland Jahn:
Në Gjermani nuk ka asnjë ligj që të detyron të dorëhiqesh. Por kur del në dosjet e STASS-it, teksa je zyrtar do të ketë kërkesa që të dorëhiqesh dhe ka ndodhur që njerëzit i kanë bërë këto kërkesa. Në Gjermani dosjet nuk shihen si e vërtetë absolute, jo gjithçka e shkruar ka qenë e vërtetë, duhet të dëgjoni edhe njerëz të tjerë. Pas 24 viteve, ne kemi kuptuar se është po qa e rëndësishme të dish sesi janë sjell njerëzit në 24 vitet e fundit. Ka pasur raste kur personat e kanë diskutuar haptazi përfshirjen e tyre në Policinë Sekrete edhe pa shkuar nëpër arkiva, por ka njerëz që e fshehin edhe sot përfshirjen dhe gënjejnë, kjo është e rrezikshme.

TCH: Pas kaq shumë vitesh në këtë pozicion, a mendoni ju se hapja e dosjeve në transparencë, por edhe në prerjen e pushtetit të vjetër me atë të ri?

Roland Jahn: E di që pyetja është interesante, por në Gjermani është e pazakontë, sepse ne bashkuam lindjen me perëndimin. Pushteti i vjetër u zhduk brenda një çasti. Hapja e dosjeve pati shumë përparësi në Gjermani. Hapja e dosjeve ndihmoi njerëzit që kishin pësuar padrejtësi nga sistemi i vjetër, por gjithashtu nuk i lejoi njerëzit e përfshirë në padrejtësi që të ktheheshin në pushtet. Ata që mbetën të papërmendur, edhe tani që dosjet janë të hapura, nuk janë të sigurt që informacioni rreth tyre nuk do të bëhet publik një ditë, ndaj dhe zgjedhin një tjetër lloj karriere.

TCH: Si ishte ndikimi në njerëz dhe në politik?

Roland Jahn: Efekti pozitiv ishte që solli paqe në shoqëri, duke dhënë drejtësi për ata që kishin pësuar padrejtësi, ndihmoi për të vendosur besimin tek institucionet publike dhe në mundësoi të mësojmë brezin e ardhshëm sesi ka punuar Policia Sekrete më parë dhe të bëjmë që të mos përsëritet më.

TCH: Në Shqipëri, ish të persekutuarit kërkojnë të jenë pjesë e Komisionit të Arkivës…

Roland Jahn: Gjermania zgjodhi që Arkiva të mbetej e pavarur nga çdo institucion. Detyra jonë është që Arkiva të jetë sa më e pranishme për institucionet e tjera që e përdorin këtë informacion për të marrë vendime sipas kushteve të tyre.

TCH: Ndodh që mes emrave të ish të përndjekurve të jenë edhe ata që dikur kanë qenë persekutorë, si keni vepruar me ta? Cilat janë këshillat tuaja?

Roland Jahn: Edhe te ne ka pasur raste të shumta kur është e paqartë se kush është viktima dhe kush persekutori. Ka njerëz që kanë qenë pjesë e aparatit politik të diktaturës dhe që u kthyen në viktima. Dosjet ndihmojnë për të kuptuar sesi ndodhi kjo, sesi dikush mund të kthehet në viktimë ose agresor, sesi vendosën të bashkëpunojnë, në cilat rrethana dhe se çfarë mund të bëhet. Dosjet vetëm mund të ndihmojnë për ta bërë këtë proces sa më qartë që njerëzit ta kuptojnë sesi ndodhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA