
Zyrtari më i lartë i zbulimit amerikan tha perpara Kongresit se furnizimi i Ukrainës me armë mund të provokojë Vladimir Putin, e për pasojë të sjellë një reagim akoma më të dhunshëm të presidentit rus.
Megjithatë, unë vetë jam dakort që Kievit t’i dërgohen armatime mbrojtëse, sqaroi, James Clapper, një deklaratë kjo që vjen në kohën kur administrata Obama është në dilemën e madhe nëse duhet ta thellojë përfshirjen në konfliktin që ka vendosur përballë njëri-tjetrit Perëndimin dhe Rusinë.
“Një veprim i tillë me të gjitha gjasat do ta rrëzojë edhe atë gjethen e hollë që mbulon pozicionin e rusëve dhe pretendimet e tyre se nuk janë të përfshirë në krizën e Ukrainës. Rusia mund të përgjigjet duke dërguar armë të tjera më të sofistikuara në zonat që kontrollohen prej separatistëve”, tha James Clapper, Drejtor i Zbulimit Kombëtar.
Sipas Drejtorit të Zbulimit Kombëtar gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për ngërçin ukrainas, e cila të lejonte Kievin të integrohej me Perëndimin nuk ka për të qenë e lehtë.
Clapper foli edhe për sulmet kibernetike nga qeveritë e huaja dhe nga individë të ndryshëm dukë thënë se ato
janë vënë në krye të listës së kërcënimeve ndaj Shteteve të Bashkuara
nga agjencitë amerikane të zbulimit.
“Sulmet kibernetike do të dëmtojnë konkurrencën ekonomike dhe sigurinë kombëtare në SHBA”, tha, drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper. Në një raport të lëshuar nga zyra e tij thuhej se, ushtria ruse ka ngritur një komandë kibernetike për të kryer sulme. Gjithashtu raporti përshkruan Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut si kërcënimet kryesore.
Gjatë fjalës së tij në një komision të Kongresit, Clapper tha se Amerika nuk do të përballet me sulme kibernetike të përmasave të mëdha. “Ideja se infrastruktura të mëdha, si rrjetet financiare apo të energjisë do të mund të çaktivizohen nga hakerat, tani duket më pak e mundshme”, tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se një seri sulmesh të vazhdueshme parashikohet të ndodhin në periudha të ndryshme dhe nga burime të shumëllojshme.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara theksoi rastin e Rusisë, për të cilën ai tha se tashmë përbën një rrezik më të madh kibernetik ndaj interesave të SHBA. Ai tha se kërcënimi nga qeveria ruse është “më i rëndë” nga se ishte menduar më parë.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur një seri sulmeve kibernetike të profilit të lartë kundër objektivave amerikane. Koreja e Veriut u akuzua se qendronte prapa sulmit ndaj “Sony Pictures” në muajin nëntor.
Top Channel