Situata politike në optikën e Skënder Minxhozit

27/02/2015 00:00

Për të folur më shumë mbi situatën politike në vend, në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel ka qenë i ftuar analisti Skënder Minxhozi.

Kryeredaktori i revistës “Java” ka komentuar atë që u quajt “shpërthimi i deputetit Tom Doshi”, negociatat PS-LSI për ndarjen e bashkive dhe kandidatin e mundshëm të PD për Tiranën në zgjedhjet lokale.

Zoti Minxhozi, tema e dy ditëve të fundit është shpërthimi i deputetit Tom Doshi ndaj kryeministrit Edi Rama. Dy ditë pas kritikave dhe akuzave të para, ka një debat për “përsenë” e këtij shpërthimi të një deputeti jo fort të zakonshëm ndaj kreut të qeverisë, me paralajmërime deri për tronditje të themeleve të mazhorancës. Ndërkohë që vetë zoti Doshi së fundi ka thënë se e ka çështje parimore që lidhet me zonën e tij. Ju, si e shihni tani këtë konflikt dhe çfarë do të sjellë ai?

Skënder Minxhozi: Kam frikë se dilemën e këtyre pyetjeve e zgjidhi vetë zoti Doshi sot, kur përmes rrjeteve sociale u përgjigj në mënyrë shumë më të moderuar sesa dje në Kuvend. Përplasja “folklorike” duket se është shtyrë, por fakti që gjërat morën një kthesë kaq kollaj të bën të mos ndihesh mirë, sepse ajo që u pa dje në Parlament ishin tone shumë më të ashpra sesa tonet e sotme të zbutura pas drekash e ndërhyrjesh sic flitet për Kokëdhimën. Rasti Doshi lë megjithatë lë pas një problem në PS, përtej asaj që është konsideruar një dozë e caktuar shantazhi e deputetit ndaj kryeministrit, edhe pse s’i kemi të publikuara arsyet. Kjo tregon se ka një problem në grupin parlamentar të partisë, me zotin doshi që pretendon se përfaqëson elektoratin e shkodrës dhe ekzekutivit. Ky i fundit po luan një lojë më vete, një lojë e frymëzuar nga Rama për t’u dhënë liri ministrave, por që ka krijuar pakënaqësi tek deputetët pasi ato që kanë marrë përsipër nuk po bëhen realitet, apo po bëhen shumë pak. Mund të jetë edhe një thirrje, por do ta konsideronim një thirrje me ton të lartë, sepse carja do të ishte e pashërueshme. Por, sikurse ka ndodhur në të shkuarën, kjo parti ashtu sic i prodhon konfliktet edhe i shuan.

Kemi një debat tjetër të hapur në lidhje me zgjedhjet lokale, ku dy krerët e mazhorancës kanë nisur të ndajnë zonat dhe kandidatët e përbashkët, ndërkohë që kryetarët veteranë socialistë të bashkive të mëdha tashmë duket se nuk do të kandidojnë më, duke parë se tre prej tyre janë nën hetim dhe ndonjë tjetër ka dhënë dorëheqjen. Shihni tension, qoftë në bisedimet mes Ramës dhe Metës për ndarjen e zonave, apo edhe për mosrikandimin e kryetarëve të vjetër?

Skënder Minxhozi: Është një sport kombëtar që të gjithë luajnë se cili do të jetë deputeti dhe bashkiaku në prag zgjedhjesh. Është një negociatë që ka nisur. Duket që LSI po kërkon të zgjerohet në optikën e rezultatit të 2013-s. Siç dihet, ajo ka qenë një parti që ka marrë pjesë në qeverisje, por në mënyrë të qëllimshme ka nxjerrë Ramën në vijën e parë, për të marrë përsipër rreziqet e reformave që po ndërmerr. Meta po mundohet që këtë pozitë komode ta përkthejë në tryezën e bashkive me PS dhe natyrisht që do të ketë një marrëveshje. Duket se tendenca e natyrshme e dy palëve është që partia e madhe të mos japë bashki me peshë dhe që e vogla t’i kërkojë ato. Kam përshtypjen se në bastione si Berati, apo zona të tjera të jugut ku LSI ndihet e fortë, ajo do të mund të marrë disa bashki. Ndërsa për bashki të mëdha si Tirana, Durrësi, apo Shkodra do të garojnë kandidatë të PS.

Në kampin tjetër, situata është ende e paqartë, sidomos për Tiranën. Ndërkohë që kemi zotin Berisha që shtyn për rikandidimin e zotit Basha…

Skënder Minxhozi: Djathtas situata është ndryshe. Ajo që ka thënë dikur Berisha, se kjo reformë territoriale i jep të paktën 50 bashki në letër të majtës, ka një dozë jo të vogël të vërtete brenda. Kjo, duke parë terrenin dhe faktin që e majta ka qenë gjithmonë më e fuqishme se e djathta në zgjedhjet lokale. Pra, ky realitet i ri i krijuar nga kjo reformë, por dhe disa specifika ku Tirana është më e madhja, e bëjnë të vështirë rebusin se cilët do të jenë kandidatët kryesorë. Tirana mbetet koka e problemit dhe duket vërtet se Berisha po motivon pasardhësin e tij në krye të PD që të rikandidojë. Në terma të tjerë, kjo do të thotë se Berisha po mundohet ta shtyjë Bashën drejt një humbjeje, e cila përflitet se është thuajse e sigurtë duke parë mandatin mjaft të dobët të tij. Megjithatë, besoj se Basha nuk do të kandidojë, se do të jetë më e fortë tendenca e tij për t’u larguar nga një garë e humbur, sesa motivimi që vjen edhe nga një instancë si ish-kryeministri. Besoj se minoranca po kërkon një kandidat për ta çuar drejt një gare në ngjitje dhe që mund ta nxjerrë atë nga bashkia më e madhe e Shqipërisë.

Top Channel