Rusi, Putin shkurton me 10% pagat e administratës. E ndjekin deputetët dhe Qeveria

27/02/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar shkurtimin me 10% të pagave të stafit të tij, një lëvizje kjo që vjen pas propozimit për të ulur në po të njëjtën masë edhe pagat e deputetëve dhe shpenzimet e Ministrive, si dhe për të përdorur miliarda dollarë nga një fond emergjence.

Ekonomia ruse është goditur ashpër nga ulja e çmimit të naftës, por edhe sanksioneve ekonomike të Perëndimit për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës. Ende nuk është bërë e ditur se kur do të hyjë në fuqi ky shkurtim pagash, apo nëse ky vendim do të prekë edhe vetë pagën e Putinit.

Në një deklaratë të shkurtër gjatë së premtes, Kremlini bëri të ditur se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë së Rusisë diskutuan mbi “disa çështje sociale dhe ekonomike”. Në të thuhet se Putin informoi këshillin në lidhje me vendimin e tij për të ulur pagat në administratën presidenciale, “duke dalë jashtë përmbajtjes së axhendës së takimit”.

Më herët gjatë kësaj jave, Sergei Naryshkin, kreu i Dumës ruse (dhoma e ulët e Parlamentit), kishte thënë se ligjvënësit duhet të hiqnin dorë nga 10% e pagave të tyre për të ndihmuar vendin në këtë krizë të thellë financiare. Naryshkin u kishte bërë thirrje atyre, që në shenjë patriotizmi të mbështesnin propozimin e tij.

Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, ka premtuar gjithashtu të reduktojë shpenzimet nga ministritë federale dhe agjencitë qeveritare me 10% gjatë vitit 2015.

Në një tjetër zhvillim, zëvendësi i parë i Siluanov, tha të premten se qeveria do t’i kërkonte Parlamentit të lejonte shpenzimin e rreth 3,2 trilionë rublave (52 mld dollarë) nga Fondi Rezervë, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”. Kjo do të përfshinte gjithashtu edhe parashikimin e 500 miliardë rublave që janë parashikuar tashmë në buxhetin e 2015-s.

Qeveria ruse është duke rishikuar gjithashtu edhe buxhetin, që ishte bazuar mbi parashikimet e një çmimi nafte shumë më të larta nga ai aktuali. Rënia e të ardhurave nga nafta, së bashku me impaktin e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, kanë bërë që Rusia t’i drejtohet një recesioni të thellë, thonë analistët.

Top Channel