Kievi: Rreziku nga Lindja nuk largohet. Gati të rikthejmë artilerinë

27/02/2015 00:00

Në një deklaratë të parë gjërësisht si referim indirekt për Rusinë, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko u shpreh se pavarësisht armëpushimit, kërcënimi ushtarak nga lindja do të vazhdojë të mbetet i pranishëm.

Edhe pse pushimzjarri zyrtarisht është në fuqi, gjatë 24 orëve të fundit tre ushtarë të Kievit janë vrarë e shtatë të tjerë janë plagosur në luftimet me rebelët. Vetëm një ditë më parë, zyrtarët ukrainas kishin deklaruar se përgjatë 48 orëve, ushtria ukrainase nuk kishte pasur më asnjë vdekje në radhët e saj, çka shtoi shpresat se armëpushimi do të arrijë të funksionojë vërtet.

“Edhe në skenarin me optimist të mundshëm për Donbasin, kërcënimi ushtarak nga lindja, fatkeqësisht nuk ka për t’u larguar. Kjo do të thotë se Ukraina duhet t’i forcojë në vazhdimësi aftësitë e saj mbrojtëse. Rebelët nuk reshtin së shkeluri marrëveshjen e Minskut dhe nëse ajo dështon, ne jemi gati t’i rikthejmë në çdo moment armatimet e rënda në vijën e frontit”, deklaroi Poroshenko.

Si Kievi edhe Perendimi e kanë akuzuar hapur Rusinë se i ndihmon separatistët me armë e me trupa ushtarake, pretendime këto të hedhura poshtë nga Moska si të pavërteta. Të dyja palët në konflikt thonë se kanë nisur t’i largojnë armatimet e rënda nga vija e përballjes, ashtu siç parashikon pakti i vulosur në kryeqytetin bjellorus me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë. Por procesi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga monitoruesit e OSBE-së.

Ndonëse armëpushimi hyri në fuqi në 15 shkurt, disa ditë më vonë rebelët morën qytetin strategjik të Debaltseve-s, me pretendimin se ishte në zonën e kontrolluar prej tyre.

Top Channel