Të burgosurit fitojnë ndeshjen me ish-lojtarët e Kombëtares shqiptare

26/02/2015 00:00

Ka nisur me një valle popullore nga Kavaja, aktiviteti futbollistik në stadiumin e ekipit “Besa” të Kavajës.

Në fushën e blertë dolën dy ekipe të përbëra nga ish-futbollistë të kombëtares dhe lojtarët më të mirë të ekipeve të futbollit nga burgjet e Vaqarrit, Rrogozhinës, Lezhës dhe Lushnjes.

Emra të njohur ishin në ekipin e të burgosurve, si në fushë, ashtu edhe në pankinë.

Ndeshja u ndoq dhe nga ministri i Drejtësisë, drejtuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dhe drejtues të administratës së burgjeve dhe pushtetit vendor.

“Është një problem që nuk është i sotmi, nuk ka qenë as i djeshmi, një problem për të cilin ne e ndiejmë vështirësinë, por që përpiqemi çdo ditë t’i përgjigjemi në kohë. Kemi riorganizuar të gjithë strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, po vazhdojmë në një proces reformimi. Sigurisht do të doja që në Shqipëri të kishte më shumë kopshte, shkolla, çerdhe e rrugë, sesa burgje. Por edhe këto janë bërë dhe do të bëhen, sepse janë pjesë e domosdoshme e funksionimit të një shteti modern”, tha ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Kreu i FSHF-së tha se kjo ndeshje simbolike është pjesë e aktivitetit të Federatës, e cila nuk mbetet vetëm në kuadrin e përfaqësimit të ekipeve profesioniste të futbollit.

Golin e parë të ndeshjes e shënoi sulmuesi Altin Rraklli. E ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1 për yjet e kombëtares, ndeshja përfundoi me rezultatin 6-3 për ekipin e të dënuarve, që erdhi në këtë ndeshje të veçantë pas një periudhe disamujore, gjatë së cilës u zhvillua minikampionati i futbollit midis të gjitha burgjeve në vend.

Top Channel