Situata politike në Shkup, delegacioni i PSE-së takon Zaevin: Jemi të shqetësuar

26/02/2015 00:00

Një delegacion i Partisë së Socialistëve Evropiane, i kryesuar nga kryetari Sergei Stanishev dhe eurodeputeti Richard Howitt, është takuar mbrëmjen e së mërkurës me udhëheqësin e partisë opozitare maqedonase, LSDM.

Delegacioni i PSE-së ka shprehur shqetësimin për shkak të gjendjes aktuale politike në Maqedoni dhe ka bërë thirrje që vendi, të bëjë atë që pritet nga një vend kandidat për anëtarësim në BE: të përmbushë kriteret e Kopenhagenit.

“Nuk ka negociata për kriteret e larta politike, si liria e gjyqësorit, e mediave, e fjalës, por dhe lirisë së opozitës për të kritikuar pushtetin. Jemi të shqetësuar nga akuzat e orientuara drejt liderit të opozitës, Zoran Zaev”, ka deklaruar kryetari i PSE-së, Sergei Stanishev, pas takimit me udhëheqësin e LSDM-së.

Stanishev ka paralajmëruar se, gjatë vizitës së tyre do të takohen edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, me përfaqësues të Qeverisë dhe të partive të tjera politike.

Edhe ish-raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howitt, u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që të respektojnë standardet e vendosura.

“I lus të gjithë autoritetet e sigurimit dhe gjyqësorit në vend, që të respektojnë të drejtat fundamentale: parimin e barazisë para ligjit dhe supozimin e pafajësisë. Ka histori pikëlluese në këtë vend, në këtë rajon, por dhe në pjesë të tjera të Evropës, të sistemeve të përgjimit dhe të akuzave ilegale, të cilat morën hov kundër individëve për qëllime politike. Këto praktika nuk duhet të kenë vend sot, qoftë në Maqedoni ose në Evropë”, ka thënë mes të tjerash Howitt.

Top Channel