Përurohen ambientet e reja të Akademisë së Policisë, Rama: Sot, polici me standarde

26/02/2015 00:00

Janë përuruar paraditen e së enjtes ambjentet e reja të Akademisë së Policisë së Shtetit, realizuar përmes një projekti investimi të Bashkimit Evropian.

E pranishme në këtë eveniment, ambasadorja e Unionit, Romana Vlahutin ka deklaruar se, ristrukturimi i ambienteve të akademisë duhet të ndikojë në rritjen e cilësisë së rekrutimit të uniformave blu.

Vlahutin e ka vënë theksin edhe tek rëndësia e aktivizimit të oficerëve të trajnuar të policisë në luftën kundër krimit të organizuar, ndaj të cilit siç tha ajo, janë arritur suksese.

Nga ana tjetër, diplomatja ka premtuar se mbështetja e misioneve policore evropiane, si PAMECA, për policinë shqiptare do të vazhdojë.

Ndërsa kryeministri Rama, në fjalën e tij ka vlerësuar se procesi i transformimit ku ka hyrë Policia e Shtetit është e pakthyeshme.

“Kemi nisur një transformim rrënjësor dhe pa kthim të Policisë së Shtetit. Nga një strukturë e çoroditur që ishte një vit e gjysmë më parë, Policia e Shtetit po kthehet në një strukturë sipas standardeve të vendeve të BE. Dhe ky është vetëm fillimi pasi puna që mbetet për të bërë është shumë më e madhe, më e mundimshme dhe me më shumë sakrifica sesa puna që është bërë deri më sot”, ka deklaruar Rama.

Shefi i qeverisë ka vënë në dukje se sot qasja e policisë ndaj qytetarëve ka ndryshuar, duke theksuar se nuk është më ajo polici e rrënuar ku kabineti i tij e gjeti kur erdhi në pushtet.

“Gjatë vitit 2014, 322 punonjës të policisë janë proçeduar penalisht, 897 të tjerë janë ndëshkuar me përjashtim dhe pezullim nga detyra për një sërë motivesh. Të gjitha këto na japin pamjen e një rrënimi dramatik ku policia ishte katandisur deri 1 vit e gjysmë më parë. Një rrënim që ka ende inertësinë e vetë. Të përpiqemi të gjithë bashkë për të pasur një polici si ajo që kërkojnë qytetarët”, ka thënë Rama.

Në të njëjtën linjë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka nënvizuar se, dikasteri i drejtuar prej tij po bën një punë të madhe për pasurimin e kurrikulave të policisë.

“Duhet t’u qëndrojmë standardeve që kërkojnë qytetarët për policinë. Duhet ta bëjmë këtë vend shumë më të sigurtë nga sa ishte dje”, ka deklaruar Tahiri.

Duke vlerësuar se, klima aktuale e Policisë së Shtetit është më e mirë se më parë, Tahiri ka komentuar edhe episodet e fundit të dhunës ku janë përfshirë uniformat blu.

“Sa për ngjarjet e ndodhura së fundmi nga disa agjentë të policisë, ata nuk janë modele për t’u ndjekur”, ka thënë Tahiri, për të shtuar se numri i punonjësve të policisë të ndëshkuar për shkelje shkon mbi 1200.

“Vetëm gjatë muajve janar-shkurt janë me qindra masat disiplinore ndaj punonjësve të policisë. Sot policia është shumë larg nga situata ku e gjetëm”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel