Kerry: Rrezik nga influenca ruse në Ballkan

26/02/2015 00:00

Seanca për buxhetin në Senatin amerikan është kthyer në mbledhje diskutimi mbi shtrirjen e influencës ruse në Europën lindore, sidomos në gadishullin e Ballkanit.

Shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry tërhoqi vëmendjen ndaj këtij fenomeni, të cilin e përkufizoi si “përpjekje të Moskës për të rindezur një lojë të rrezikshme”.

Me të tilla pohime, sekretari i Shtetit, thotë Zëri i Amerikës, i bëri jehonë komenteve të senatorit Chris Murphy, i cili vitin e kaluar vizitoi disa vende ballkanase.

Kerry nuk u mjaftua me konstatime, por kërkoi të kalohet në veprim me argumentin se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për t’iu kundërvënë veprimeve të Rusisë në rajon.

“Rusia ka nisur një përpjekje në shkallë të gjerë për të kthyer vende të ndryshme të Ballkanit në anën e saj. Në thelb, ajo po përpiqet të rindezë një lojë ku askush nuk fiton. Ne mendojmë se kjo është e rrezikshme dhe e panevojshme”, deklaroi Kerry.

Në komisionin e Senatit, ku u diskutua për ndarjen e fondeve për këtë vit financiar, Kerry iu përgjigj komenteve të senatorit Chris Murphy, i cili vjeshtën e kaluar ndaloi në disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Atëherë Murphy tërhoqi vëmendjen ndaj veprimeve të Moskës në Moldavi, Gjeorgji, Serbi, Mal të Zi, apo në shtetet baltike.

Ndërhyrjet e saj, senatori i cilësoi si një luftë asimetrike të cilën Rusia po e perfeksionon, duke blerë mediat apo duke paguar zyrtarët publikë. “Njerëzit që nuk i blejnë dot, ata i frikësojnë”, shtoi ai.

Në këndvështrimin e Murphy, Perëndimi nuk po arrin t’i kundërvihet kësaj veprimtarie me mjete ligjore të cilat do të bënin të paefektshme mekanizmat e përdorur nga Moska.

Si shembull të qartë, ai solli Serbinë, ku siç tha, Rusia po përpiqet të depërtojë në mënyrë masive me një ndikim më të madh se kurrë më parë.

Top Channel