Kompromiset e Syrizas, ku ndryshon plani me premtimet elektorale

24/02/2015 00:00

Syriza, partia e ekstremit të majtë që erdhi fuqishëm në pushtet në Greqi gjatë janarit, u premtoi votuesve se do të braktiste masat shtrënguese dhe do të rinegocionte huadhënien prej 240 mld eurosh të vendit me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Por, me afrimin e afatit të skadimit të kësaj ndihme më 28 shkurt, qeveria e re është detyruar të bëjë një kompromis krahasuar me premtimet elektorale, duke ofruar një dokument për të bindur huadhënësit e huaj ndërkombëtarë, se ajo mundet të mbajë gjallë financat e vendit dhe të mbetet në eurozonë.

Por, cilat janë objektivat e një partie, e cila dikur ka qenë një koalicion i gjerë i ekstremit të majtë ku përfshiheshin edhe maoistët, dhe a mundet t’i mbajë premtimet e saj përpara votuesve?

Masa për vendet e punës, pagat dhe varfërinë

Premtimi më ndikues te votuesit grekë ka qenë ai i 300 mijë vendeve të reja të punës në sektorët privatë, publikë dhe socialë, si dhe një rritje e ndjeshme e pagës minimale mujore; nga 580 euro në 751 euro.

Punët e reja do të duhej të fokusoheshin ndaj rinisë së papunë; pasi rreth 50 përqind e të rinjve nën 25 vjeç janë pa punë; ashtu sikurse edhe ndaj të papunëve prej një kohe të gjatë, veçanërisht atyre mbi 55 vjeç.

Por, bazuar mbi masat e reja reformuese që janë dorëzuar përpara huadhënësve të Eurogrupit e që morën së fundi mbështetjen, rritja e planifikuar e pagës minimale është kthyer në një ambicie që do të shqyrtohet “me kalimin e kohës”. Kryeministri Alexis Tsipras tha përpara Parlamentit, më herët gjatë shkurtit, se kjo gjë mund të bëhej gradualisht deri në vitin 2016. Në fakt, rritja e pagës minimale ende mund të realizohet, por vetëm pas konsultimeve me partnerët europianë.

Ajo që është më pak e qartë, është se çfarë do të ndodhë me rritjen e premtuar të vendeve të punës. Më 8 shkurt, Tsipras foli për rikthimin në punë të pastrueseve të Ministrisë së Financave dhe rojet nëpër shkolla, por propozimet e fundit përfshijnë vetëm zgjerimin e skemës ekzistuese për t’iu dhënë punësim të përkohshëm të papunëve, si dhe përditësimin e aftësive të të papunëve afatgjatë.

Pushteti do të jetë i popullit

Syriza erdhi në pushtet duke u premtuar 300 mijë familjeve që jetojnë nën nivelin e varfërisë, deri në 300 kËh energji elektrike falas në muaj, si dhe subvencione ushqimore ndaj të njëjtit numër familjesh të cilat nuk kanë të ardhura. Taksat ndaj karburantit për ngrohje do të hiqeshin.

Ekzistonte gjithashtu një premtim për të rikthyer pensionin “bonus” për Krishtlindje, për pensionistët që marrin më pak se 700 euro në muaj.

Por plane ka pasur edhe për kujdes mjekësor falas për të papunët, të cilët do të përfitonin edhe sigurime shëndetësore. Gjithsesi, në kompromisin e 23 shkurtit, qeveria greke ruan ende thirrjen e saj për qasje universale ndaj shërbimit mjekësor. E paprekur është edhe trajtimi i çështjes së të pastrehëve, dhe sigurimi i ushqimit dhe energjisë për ta, duke premtuar se “lufta e tyre kundër krizës humanitare nuk ka efekte negative fiskale”. Një tjetër angazhim kyç ishte mbrojtja për njerëzit që kanë lënë kolateral nga rrëmbimi i pronës së tyre.

Gjithsesi, shumë votues grekë do të pyesin veten nëse disa prej premtimeve kanë qenë vetëm “mashtrime”, pasi planet e fundit të qeverisë u referohen ofertave jofinanciare, siç janë vulat ushqimore.

Shuarja e borxhit

Politika kryesore, që pushtoi titujt e të gjitha mediave kombëtare dhe ndërkombëtare, e Syrizas ishte ajo që në fakt shokoi eurozonën: objektivi fillestar për të lehtësuar një pjesë të mirë të borxhit prej 322 miliardë eurosh të Greqisë, i cili është sa 174% e produktit të brendshëm, apo GDP-së.

Gjithashtu kërkohej prej saj që:
– Ripagimi i borxhit të mbetur të lidhej me rritjen ekonomike dhe jo me buxhetin grek
– të hartohej një “moratorium i rëndësishëm” për pagesat e borxhit
– Blerja e bonove sovrane greke prej 60 miliardë eurosh të Bankës Qendrore Europiane të përfshiheshin në programin mujor të lehtësimit sasior.
– të mbahej një Konferencë europiane e Borxhit, sipas modelit të anulimit të gjysmës së borxhit të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Anulimi i borxhit nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë, e megjithatë Syriza nuk e ka braktisur idenë, ashtu sikurse edhe moratoriumin për pagesat e borxhit.

Syriza do të kishte dashur ta hiqte fare ndihmën financiare, por në realitet do të duhet të luftojë për një zgjatje edhe për të paktën 4 muaj të saj, duke hequr dorë nga një sërë angazhimesh të premtuara përpara zgjedhjeve.

Megjithatë, i vetmi sukses është se ajo duket se ka bindur huadhënësit të ulin objektivin e tepricës buxhetore të Greqisë në 4,5 përqind.

Ndalja e privatizimeve dhe heqja e tatimit mbi pronën

Kur Syriza erdhi në pushtet premtoi të ndalte një sërë privatizimesh, ku bëjnë pjesë edhe ato të portit të Pireut dhe kompanisë energjitike “Koorporatës Publike të Energjisë” së Greqisë.

Edhe pse nuk ka pasur kurrë gjasa që të anuloheshin të gjitha privatizimet thuajse të përfunduara, radikalët e majtë kanë deklaruar së fundi se do të respektojnë proceset tenderuese në zhvillim e sipër, gjë që mund të shihet si një tërheqje e fortë.

Një sukses madhor për partinë ka qenë tërheqja jo vetëm e votuesve të varfër, por edhe ata të shtresës së mesme. Pronarët e disa pronave në Athinë, por edhe në periferitë veriore të saj, u mashtruan nga premtimi se do të hiqej taksa e urryer vjetore mbi pronën private.

E njohur si “Enfia”, taksa hyri në fuqi në vitin 2011 si një masë emergjente, por u bë e përhershme falë marrëveshjes së qeverisë së mëparshme. Edhe pse taksa do të mbetet për t’u paguar për vitin 2014, Syriza planifikon ta zëvendësojë atë me një taksë ndaj shtëpive luksoze dhe pronave të mëdha dytësore.

Të paguajmë të gjithë për gjithçka

Pasi ka rishikuar shumë prej angazhimeve të saj për ta mbajtur Greqinë me aftësi pagimi dhe brenda kushteve për zgjatjen e ndihmës financiare, ministrit grek të Financave, Yanis Varoufakis, i është dashur të hartojë mënyra të besueshme për gjithë këtë financim.

Qeveritë greke kanë vuajtur vazhdimisht në mbledhjen e taksave, ndërkohë që njëra prej shtyllave kryesore të Syrizas ka qenë “promovimi i drejtësisë në tatime”, duke premtuar luftë ndaj evazionit fiskal, pastrimin e borxheve të prapambetura dhe riorganizimin e TVSH-së.

Një plan kombëtar kundër korrupsionit është duke u propozuar, ashtu sikurse dhe lufta ndaj kontrabantës së karburanteve dhe duhanit. Këto kanë qenë të metat e sulmuara nga Syriza gjatë fushatës së Syrizas dhe sërish janë përfshirë në propozimet ndaj kreditorëve të saj të 23 shkurtit.

Shpenzimet publike në Greqi shihen ende si të larta, edhe pas shumë vitesh shkurtime, ndaj qeveria thotë se do të shikojë mundësitë për kursime në çdo Ministri, duke ulur numrin e tyre nga 10 në 6 të tilla.

Fondet greke të pensionit janë gjunjëzuar ndjeshëm përgjatë viteve, për shkak të peshës së tërheqjes së shumë grekëve nga puna, ende pa mbushur moshën e pensionit. Thuajse 3/4-tat e shtetasve synojnë tërheqjen nga puna përpara moshës 61 vjeç. Por, Syriza ka premtuar se do të eliminojë defektet dhe stimujt që inkurajonin tërheqjen e parakohshme, veçanërisht në sektorët bankarë dhe ato publikë.

Top Channel