Eurogrupi miraton reformat e Greqisë. Zgjat marrëveshjen e borxhit edhe për 4 muaj

24/02/2015 00:00

“Është një plan shumë i mirë”, deklaronte para se të hynte në mbledhjen e Qeverisë ministri i Financave, Varoufakis, dhe pak më vonë ministrat e Eurogrupit vërtetuan deklaratën e tij, duke miratuar propozimet për reforma të paraqitura nga Greqia, në mënyrë që të fitojë një kohëzgjatje të marrëveshjes së saj të borxhit edhe për katër muaj të tjerë.

Lista e reformave është e plotë dhe përbën një start të besueshëm për qeverinë greke, kanë deklaruar unanimisht ministrat e Financave të eurozonë. Sipas kreut të Eurogrupit, procedura e miratimit të plotë vazhdon me votat e 6 parlamenteve europiane, që duhet t’i japin dritën jeshile Athinës brenda kësaj jave, midis tyre edhe Parlamenti gjerman.

“Ne duam që Greqia të qëndrojë në eurozonë, jo sepse nuk ka alternativë tjetër, por sepse ky është veprimi më i drejtë që duhet bërë, për të siguruar të ardhmen ekonomike dhe politike të Evropës”, tha Sigmar Gabriel, zëvendëskancelari gjerman.

Por pas miratimit të Eurogrupit, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka shprehur rezervat e saj rreth propozimeve për reforma, duke theksuar se disa prej tyre nuk janë ende të qarta e të hollësishme, dhe nuk përcjellin garancinë se Athina është e gatshme të shkojë deri në fund.

Në të gjitha mediat e huaja dhe ato vendase është publikuar edhe teksti i plotë i masave dhe reformave greke, ku veçohet lufta ndaj evazionit fiskal, korrupsionit, vendosja e një sistemi të drejtë të tatimeve, ristrukturimi i shtetit, lufta ndaj burokracisë, ndërsa një pjesë e mirë konsitojnë në përballimin e krizës humanitare.

“Qeveria ka një strategji të përcaktuar. Besoj se ajo po jep fryte dhe ne po ecim në rrugë të mbarë, gjithnjë korrektë për ato çka kemi premtuar te populli grek. Përsa i përket zërave të ndryshëm, që ju thoni se dëgjohen, nuk ka të tillë as brenda Qeverisë dhe as jashtë saj. Ekziston një unitet i plotë i Qeverisë dhe i popullit në këto momente”, tha Panos Skourletis, ministri i Punës.

Athina zyrtare, orët e fundit po përballet me një klimë pakënaqësie të disa personaliteteve të së majtës radikale, dhe këtu ka konsistuar edhe vizita e kryeministrit Tsipras te njëri prej tyre, kompozitori i shquar, Miksi Theodhorakis, ku ka deklaruar në mënyrë karakteristike përpara kamerave se “në luftë duhet strategji dhe mençuri”.

Sipas ministrit grek të Financave, katër muajt në vazhdim Qeveria “Tsipras” zotohet se do të japë një recital të efektivitetit, duke zbatuar me përpikmëri të gjitha masat dhe reformat që ka planifikuar. Gjithsesi, tregjet reaguan pozitivisht ndaj aprovimit të kërkesave të Greqisë nga Eurogrupi, ndërsa bursa greke shënoi rritje të konsiderueshme.

Top Channel