Dhuna në Korçë, përjashtohet zëvendësdrejtori i Policisë

24/02/2015 00:00

Përjashtohet nga Policia e Shtetit, zëvendësdrejtori i policisë Korçë, Arben Hyseni, dhunoi të riun në rrugë.

Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e saj zëvendësdrejtorin e Policisë së Korçës, Arben Hyseni i cili disa ditë më parë u përfshi në një incident me një të ri në qytetin e Korçës, pasi ky i fundit i kishte gërvishtur makinën.

Bashkë me Hysenin janë përjashtuar, pas pezullimit, edhe 2 efektivët Nevzat Blushi dhe Robert Memelli të cilët u filmuan teksa dhunonin në mes të rrugës 33-vjeçarin Tomi Misha, pasi ky i fundit kishte goditur makinën e nëndrejtorit të policisë së Korçës, Arben Hyseni. E gjithë skena zhvillohet në prani të nëndrejtorit të policisë, ndërkohë që sipas dëshmitarëve, ky i fundit e kishte dhunuar më parë të riun pas aksidentit me makinën e tij.

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme e Ankesave në Policinë e Shtetit bën me dije se lidhur me këtë ngjarje vijon hetimin penal.

Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë solli reagimin e publikut dhe të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi i cili zhvilloi menjëherë një takim me shefat e komisariateve në rrethe, të cilëve u kërkoi tij të tregojnë respektin ndaj qytetarit pasi kjo sipas tij, pasqyron punën e tyre në komunitet.

Top Channel