Zjarr kërcënues në Radhimë, u rrezikuan shumë banesa. Në aksion edhe Delta Force

22/02/2015 00:00

U desh më shumë se 90 minuta aksion i përbashkët i “Delta Force” dhe forcave zjarrfikëse, për të vënë nën kontroll flakët që pushtuan kodrën e Radhimës rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të shtunës.

Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një zjarr të rastësishëm, apo zjarrvënie të qëllimshme. Terreni i vështirë malor ka kërkuar ndërhyrjen e 50 forcave zjarrfikëse si dhe të 20 “Delta Force”, në aksionin e lokalizimit të flakëve, ku u përfshinë edhe 5 mjete ujëmbajtëse.

Shefi i stacionit zjarrfikës të Vlorës, Arqile Gjokondaj, sqaroi se era e fortë dhe terreni malor kanë përkeqësuar situatën, duke rrezikuar edhe banesa përreth vatrës së zjarrit, e cila fatmirësisht është neutralizuar në kohë.

Në terren, grupi hetimor po heton për shkaqet e shkëndijes që shkrumboi hektarë të konsiderueshëm toke.

Top Channel