Fushë Krujë, 400 gr tritol një mjeti të parkuar. Pronari, me precedentë penalë

22/02/2015 00:00

Forcat xheniere antieksploziv të Policisë së Shtetit kanë çaktivizuar një sasi lënde plasëse të vendosur në automjetin e një personi me precedentë penalë, në qytetin e Fushë Krujës.

Lënda plasëse u konstatua në gomën e parë, në krahun e shoferit, të automjetit tip fuoristradë BMW, me targa AA 858 IS.

Mjeti në pronësi të shtetasit Durim Bani ishte parkuar afër pallatit të tij, në lagjen “Kastrioti” të Fushë Krujës.

Me të marrë njoftim nga një qytetar, policia lokale ka bërë evakuimin dhe rrethimin e zonës, në pritje të mbërritjes së forcave antieksploziv. Këto forca kanë çaktivizuar një mekanizëm me siguresë, i cili ishte planifikuar të lëshonte zjarr te fitili zjarrpërcjellës, për të bërë të mundur plasjen e lëndës së vendosur në gomën e përparme të shoferit.

Rreth 400 gram tritol ishin kapur me anën e disa fijeve të holla teli të veshura dhe, në çastin e parë që automjeti do të vihej në lëvizje, do të aktivizohej shpërthimi.

Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur autorësinë dhe motivet e kësaj ngjarjeje kriminale, pasojat e së cilës u arritën të parandalohen në kohë.

Ngjarja vjen më pak se dy javë pas akteve terroriste që tronditën Tiranën, teksa një stacion autobusi, biznesi privat i babait të ministrit të Brendshëm dhe banesa e një shefi komisariati policie ishin tre objektivat e sulmeve me tritol.

Top Channel