Arrestohet kryefamiljari, rilidhi energjinë për t’i shpëtuar jetën djalit 7 vjeçar të sëmurë

22/02/2015 00:00

39-vjeçari Naim Dyli, banor i fshatit Gur i Zi të Shkodrës është arrestuar nga policia një ditë më parë pasi ka rilidhur energjinë elektrike në banesën e tij.

Por bashkëshortja e të arrestuarit rrëfen pjesën e trishtë të kësaj ngjarje. Sipas saj bashkëshorti rilidhi energjinë për t’i shpëtuar jetën djalit 7-vjeçar, i cili vuan nga astma dhe duhej patjetër  të vihej në punë aparati që prodhon oksigjenin pasi djali rrezikonte seriozisht  jetën

“Për arsye ekonomike herë i kemi pagur dhe herë jo faturat e energjisë elektrike. Na është ndërprerë energjia dhe ne kishin djalin e sëmurë. Natën që gjendja e djalit u përkeqësua, unë i thash bashkëshortit që të rilidhte energjinë, pasi isha e frikësuar për jetën e djalit. Ne i kemi rilidhur dritat për të shpëtuar jetën e fëmijës. Menjëherë sapo kemi rilidhur energjinë ka mbërritur policia, duke shoqëruar bashkëshortin edhe pse ai i dha arsyet pse e kishte rilidhur energjinë”, tha bashkëshortja e të arrestuarit.

Zonja e shtëpisë tregon se ato ndodhen në gjendje të mjerueshme ekonomike dhe në kushtet errësire asaj i duhet të shkojë te komshinjtë për të vënë në punë aparatin e oksigjenit për të birin e sëmurë dhe nën dritën e qiriut i duhet të mësojë djalin që dhe pse i sëmurë shkon në klasën e parë .

Eduarda Dyli bën apel për ndihmë pasi djali i sajë në këto kushte i rrezikohet seriozisht jeta.

Top Channel