Tahiri: Tritoli, reagim i bandave. Hetimet në rrugë të mbarë

21/02/2015 00:00

Në përfundim të samitit kundër ekstremizmit të mbajtur në Uashington, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një intervistë për “Zërinin e Amerikës” ka deklaruar se fenomeni në fjalë është rritur edhe në Shqipëri.

“Është rritur sigurisht vitet e fundit, sepse është rritur në nivel global, pra rrjedhimisht edhe në nivel rajonal, edhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, është rritur përpjekja e shtetit tonë dhe e shteteve për të luftuar këtë dukuri, që deri dje nuk njihte vëmendjen e duhur. Ne kemi provuar që pas procedimeve penale dhe arrestimeve të vitit të kaluar ka njohur një frenim të dukshëm dukuria e organizimit dhe dërgimit të qytetarëve shqiptarë në Siri apo në vende ku ka konflikt të natyrës ekstremiste apo të terrorizmit. Veprimi efiçent dhe në kohë për të luftuar këtë dukuri jep efekte të menjëhershme. Kjo është goditja e pjesës më të dukshme të kësaj dukurie, por ndërkohë një zgjidhje më e qëndrueshme mbetet në luftimin e faktorëve, që e gjenerojnë”, ka deklaruar Tahiri.

Në vijim të intervistës, i pyetur për incidentet e fundit me tritol, ministri Tahiri i ka cilësuar ato si një reagim të krimit përballë përpjekjeve të Policisë së Shtetit në luftë me këto grupe.

“Nuk ka asgjë për t’u habitur që krimi të reagojë kundër përpjekjes tonë për të luftuar botën e krimit dhe kjo do të thotë që ne jemi në rrugën e duhur dhe që përfaqësuesit e botës së krimit nuk gjejnë asnjë shteg që të bashkëpunojnë apo të negocionojnë me policinë e shtetit apo me instancat qeveritare. Dukuri si shpërthimet e eksplozivëve ka pasoja të menjëhershme në tronditjen e besimit të publikut, por sot e them pa asnjë droje se Shqipëria është një vend shumë më i sigurtë se dje. Kjo bazohet në treguesit e luftës kundër krimit dhe aksesit që kanë qytetarët në policinë e shtetit për të ndarë shqetësimin që në fazat paraprake dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme për problemet e tyre në institucionet e vendit dhe veçanërisht në policinë e shtetit. Ne po zhvillojmë hetime të thelluara për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje çështjeve që kanë të bëjnë jo vetëm me shfaqjet e dhunshme të kriminalitetit por edhe me tronditjen e besimit të publikut, siç janë ngjarjet me eksploziv. E them me bindje: nuk do të jetë e gjatë koha kur të tillë njerëz do të dalin para drejtësisë dhe të vuajnë dënimin e merituar”, ka theksuar Tahiri, i cili ka refuzuar të flasë për pista konkrete.

“Jemi në rrugë të mbarë, por nuk mund të flas unë para atyre që po zhvillojnë hetimet sot. Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar bashkë me prokurorinë për t’i çuar para hetimet dhe besoj se shumë shpejt do të kemi rezultate pozitive”, ka pohuar ministri, i cili ka shtuar se në këto hetime ekspertët shqiptarë kanë edhe mbështetjen e kolegëve amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA