Përgjimet, protesta kundër qeverisë në Shkup

21/02/2015 00:00

Afera e përgjimeve të publikuara nga opozita maqedonase dhe përmbajtja skandaloze e bisedave të tyre kanë nxjerrë në protesta para godinës së qeverisë në Shkup shumë qytetarë të revoltuar. Protestuesit e zemëruar i kanë quajtur “vrasës” drejtuesit e qeverisë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e tyre.

“Gjatë këtyre javëve u paraqitën materiale që dëshmojnë çfarë njerëz të dhunshëm drejtojnë shtetin, njerëz që montojnë raste kundër rivalëve politikë. Ne nuk presim që situata e krijuar të zgjidhet në mënyrë institucionale, prandaj mendoj se protestat në rrugë janë mënyra e vetme për t’i detyruar këta njerëz të largohen nga qeveria”, ka thënë i irrituar Nikolla Naumovski.

“Nëse kanë vetëm pak moral këta njerëz që drejtojnë qeverinë, atëherë duhet të ikin. Qytetarët, pasi kanë dëgjuar bisedat e përgjuara e kanë të qartë të vërtetën. Tanimë gjithçka doli në sipërfaqe”, është shprehur protestuesja Sonja Ilievska.

Ndërkohë, mbi 70 intelektualë shqiptarë i kanë nisur një letër ambasadave të huaja në Maqedoni, përmes të cilës kërkojnë nga faktori ndërkombëtar që ta izolojë qeverinë aktuale, që sipas tyre udhëhiqet nga një grup familjar që ka uzurpuar dhe shkatërruar institucionet shtetërore.

Në materialin e publikuar një ditë më parë nga opozita dëgjohej se si shefi i shërbimit sekret shtetëror, Sasho Mijallkov, përdorte terma fyese për shqiptarët teksa fliste me kryeredaktorin e një televizioni maqedonas.

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev tha se disa nga materialet e publikuara të premten dëshmojnë se pushteti e ka montuar rastin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Lube Boshkovski, për hakmarrje politike.

Top Channel