Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev ka publikuar të premten materiale të reja nga afera e përgjimeve.

Në një konferencë për shtyp, Zaev prezantoi disa biseda të përgjuara që sipas tij dëshmojnë procesin e montuar politik kundër ish-ministrit të Brendshëm Lube Boshkovski, që ka të bëjë me arrestimin e tij një ditë pas zgjedhjeve të vitit 2011.

Nga materialet e përgjuara dëgjohet shefi i shërbimit sekret, Sasho Mijallkov duke njoftuar drejtuesit e dy televizioneve kryesore maqedonase për arrestimin dhe kërkon nga ata që gjatë informimit për rastin të poshtërohet sa më tepër Boshkovski.

Madje, shefi i shërbimit sekret, që në ditën e arrestimit dëgjohet duke thënë se ish-ministri i Brendshëm do të qëndrojë në burg tetë vite.

“Nga këto biseda do të zbulohet se çfarë janë të gatshëm të bëjnë Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë shtet, ku nuk ka gjyqësor, polici dhe sistem. Në këtë vend ne jemi pengje dhe gjithçka drejtohet nga familja e Nikolla Gruevskit”, deklaroi Zaev.

Në bisedën tjetër, shefi i shërbimit sekret dhe kryeredaktori i televizionit maqedonas Sitel, flasin për zgjedhjet e vitit 2011, ku dëgjohen duke përdorur terma fyese për shqiptarët. Ata po ashtu bisedojnë edhe për atë se si duhet penguar zgjedhja e ndonjë kandidati shqiptar për deputet në zonën zgjedhore numër 3.

Lideri i opozitës ka publikuar edhe një bisedë telefonike mes ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefit të kabinetit të kryeministrit Gruevski, Martin Protuger, të cilët bëjnë plane për të ndaluar 5 autobusë me aktivistë të LSDM-së që ishin nisur për të marrë pjesë në një protestë të opozitës në Shkup.

“Këta njerëz, Gruevski, Mijallkovi dhe disa bashkëpunëtorë të tyre i kanë kontrolluar qytetarët përmes përgjimeve. Këta persona keqpërdorin institucionet për të burgosur kundërshtarët e tyre dhe për të kontrolluar gjithçka duke shkelur ligjet dhe kushtetutën”, theksoi Zaev.

Në një tjetër bisedë dëgjohet ministrja e Brendshme Jankullovska duke u konsultuar me zëdhënësin e saj Ivo Kotevski, për të fshehur vrasjen e të riut maqedonas Martin Neshkovski në sheshin e Shkupit, që ndodhi gjatë festimit të fitores së VMRO DPMNE-së në zgjedhjet e vitit 2011.

Top Channel