“La Stampa”: Zhiti, kryqëzimi i pabesë mes politikës, fesë dhe poezisë

20/02/2015 00:00

Ajo e Visar Zhitit, për “La Stampa”-n në Itali, është një histori e ngërthyer në një kryqëzim të pabesë mes politikës, fesë dhe poezisë. Një rrëfim që ka për protagonist njërin prej poetëve më në zë shqiptarë, të birin e një tjetër poeti, aktori e komediografi, Hekuranit; një njeriu aq të parehatshëm për regjimin komunist të Enver Hoxhës, sa e plasi në burgun nga ku nuk doli më.

Visari ndoqi gjurmët e të atit, të cilat, në 1979-tën, e çuan në të njëjtin destinacion; një qeli 2×3 metra, e pas saj, puna e detyruar në minierë. Dënimi me 10 vjet heqje lirie u mor pas të njëjtit proces-farsë me akuzën qesharake se shkruante vargje tepër hermetike, të trishta e kundërthënëse me normat e realizmit socialist.

Megjithatë, pati më shumë fat se i ati: rrëzimi i regjimit të Hoxhës i hapi pas 7 vitesh portat e burgut, e madje edhe ato të Perëndimit të shumëlakmuar, parajsës së lirisë dhe begatisë. Lirinë e shijoi shumë shpejt, sepse poezitë e tij u botuan në Shqipëri e në mjaft vende europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por poezia, kur ndesh rrugët me politikën e fenë, befas gjendet e detyruar të ndalojë. Çdo gjë ndodh brenda dy javësh, thotë “La Stampa”. Kryeministri shqiptar Edi Rama propozon caktimin e tij si ambasador në Selinë e Shenjtë; ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nis procedurën komplekse me Vatikanin, kur papritur mbërrin një pengesë vërtet e habitshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, George Frendo, në një intervistë për një media shqiptare, shprehet kundër kësaj kandidature me argumentin se Visari ishte mysliman, e jo katolik. Duke injoruar faktin që Zhiti, gjatë viteve të burgosjes, ishte konvertuar fshehurazi në fenë katolike.

Tani, nuk dihet nëse e injoron, apo thjesht bën sikur e harron, edhe mesazhin e lëshuar nga Papa Françesku shtatorin e vitit 2014 në Tiranë, kur i bëri një homazh shembullit të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës së paqtë fetare, të ofruar nga ky vend, si dhe rezistencës heroike të komunitetit katolik gjatë diktaturës komuniste, që në Kushtetutë impononte ateizmin si moto të shtetit.

Intervista e Frendo-s mund të konsiderohet gafë, vazhdon gazeta italiane, por nga armiqtë e padukshëm të Visarit përthithet menjëherë si pretekst për të bllokuar emërimin e tij në Selinë e Shenjtë.

Vetë Presidenti Bujar Nishani është në krye të grupit, që kërkon t’ia ndalojnë kthimin në Romë. Variantet e kësaj armiqësie, sigurisht, vijnë në forma të ndryshme. Nishani shpreh zhgënjimin që është anashkaluar nga kryeministri, në caktimin e kandidaturës, dhe ky është versioni më miqësor.

Variant tjetër, mbase edhe më i besueshmi, zbulon prapaskena që nuk e justifikojnë kundërshtinë presidenciale thjesht me lëndimin e sedrës hierarkike, por dëshmojnë një paragjykim negativ antik kundrejt një poeti rebel, apo me saktë ish-rebel.

Nishani në epokën e regjimit Hoxha, kujton “La Stampa”, ka qenë zyrtar ushtrie, e ndoshta e shkuara ia frenon entuziazmin ndaj një detyre që do të shpërblente një intelektual, i cili nuk është i gatshëm t’i bindet qorrazi dëshirave të pushtetit.

Top Channel