Orteku i gurëve izolon Kurveleshin, 2300 banorë pa asnjë mundësi komunikimi

19/02/2015 00:00

Akset rurale në Tepelenë janë dëmtuar mjaft prej reshjeve të fillim shkurtit. Aksi Tepelenë-Gusmar, rruga që të çon më tej drejt Malësisë së Kurveleshit, është shembur prej reshjeve në vendin e quajtur Hosi i Zallit në një gjatësi rreth 100 metra.

Prej shpatit të malit është shkëputur një masiv dheu prej 1000 m³ dhe rruga është aktualisht e pakalueshme prej më shumë se 20 ditësh. Mjetet, sipas kreut të komunës Kurvelesh, Pëllumb Milori, shkojnë deri pranë shembjes, më tej banorët përshkojnë me këmbë hapësirën e dëmtuar. Ata kanë mundësuar që dy mjete të tjera të realizojnë transportin drejt fshatrave të izoluar.
 
Ky aks i vendosur sipër kanioneve të thella të lumit të Bënçës prej vitesh rezulton i rrezikshëm për rreth 2300 banorë të 5 fshatrave të thellë malorë.

Ndërkaq, një tjetër aks rural në Teplenë, aksi prej Urës së Luftinjës deri në komunën Buz, është dëmtuar prej shirave të ditëve të fundit duke vështirësuar kalimin e mjeteve të vogla.  

Në këto dy akse nuk është investuar prej dekadash, ndërsa për mirëmbajtjen e tyre dhe pa asnjë mjet në dispozicion punojnë rreth 22 punëtorë të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale.

Top Channel