Kriza e rëndë në Maqedoni, analistët: Nuk zgjidhet pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve

19/02/2015 00:00

Kriza e rëndë politike në Maqedoni nuk mund të tejkalohet pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

Analistët në Shkup thonë se ndërmjetësimi nga jashtë është e vetmja mundësi për të rikthyer dialogun politik dhe për të shmangur pasojat e rënda, që mund të sjellë kriza serioze, në të cilën është përfshirë vendi.

“Jetojmë në një gjendje partitokracie, që ka gjeneruar një situatë të këtillë, të pazgjidhshme pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Pra, gjendja kërkon ndërhyrjen akute, përndryshe mund të kalohet në një situatë të tensionuar, ku mund të kemi edhe konflikt të brendshëm, madje edhe luftë civile”, tha Ali Pajaziti, analist.

Publikimi i aferës së përgjimeve, ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit, ka ndikuar që të zbehet dukshëm besimi i qytetarëve tek institucionet shtetërore. Analistët theksojnë domosdoshmërinë e formimit të një qeverie teknike në vend, e cila do të organizonte zgjedhje të parakohshme për të rikthyer normalitetin në Maqedoni.

“Kjo krizë që daton prej disa viteve, tani thellohet në përmasa brengosëse. Për të dalë nga kjo krizë duhet të pranohen kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Jam i mendimit se pushteti do të ishte dakord për zgjedhje të parakohshme, por vetëm duke mos pranuar kërkesën e opozitës për formimin e qeverisë teknike”, tha Osman Kadriu, analist.

Sipas analistëve, kriza politike, që u rëndua nga afera e përgjimeve, kërkon zgjidhje të shpejtë për shkak se ka lënë nën hije procesin e integrimit dhe çështjet e tjera të rëndësishme për vendit.

Top Channel