Gjermania refuzon kërkesën greke për një paketë 6-mujore, u quajt “Kali i Trojës”

19/02/2015 00:00

Vetëm disa orë pasi Athina zyrtare u ka dërguar partnerëve të saj kërkesën për zgjatjen me 6 muaj të marrëveshjes së kredisë, me një deklaratë për shtyp, Ministria gjermane e Financave e hedh poshtë atë duke theksuar se nuk përmbush kriteret e samitit të fundit të eurogrupit.

“Kërkesa nga Athina nuk është një propozim që të çon në një zgjidhje të konsiderueshme. Në fakt, ajo të çon drejt një marrëveshjeje, urë për financim, por pa përmbushur kërkesat e programit”, – ka deklaruar përfaqësuesi i Ministrisë gjermane të Financave, Martin Gehger.

Pak më herët se refuzimi nga Berlini, zëdhënësi i KE-së e kishte cilësuar kërkesën si një hap pozitiv.

“Presidenti Juncker, që ka pasur bisedime intensive me Presidentin Dijsselbloem dhe kryeministrin grek, dje në mbrëmje dhe sot në mëngjes, sheh në këtë letër një sinjal pozitiv që, sipas vlerësimit të tij, mund të hapë rrugën për një kompromis të arsyeshëm në interes të stabilitetit financiar në gjithë zonën e euros”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i KE.

Letër-kërkesa greke përfshin një zotim për të ruajtur “ekuilibrin fiskal” për një periudhë gjashtëmujore, kushtet e marrëveshjes së kredisë, duke mos reduktuar më rrogat dhe pensionet, ndërsa ka synim rinegociimin me partnerët e eurozonës për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë dhe uljen e borxhit.

Por Berlini këmbëngul në zgjatjen e programit të mëparshëm, respektimin e reformave ekzistuese, marrjen e masave sociale vetëm në marrëveshje me kreditorët dhe pagesa të rregullta për të gjithë huadhënësit.

“Personalisht unë mendoj se Greqia nuk ka alternativë, pervec se te arrije një marrëveshje me BE-në. Në fund, borxhi  prej 300 mld euro  duhet të paguhet në një mënyrë apo ne një tjetër, përndryshe Greqia falimenton. Kjo do të thotë falimentim për sistemin banker dhe një pengesë serioze për tërë zhvillimin ekonomik të Greqisë”, tha Oliver Roth analist gjerman.

Tepër i ashpër është konsideruar nga Athina edhe qëndrimi i Gjermanisë në “Euro Ëorking Group”, që u zhvillua pasditen e së enjtes, ku letër-kërkesa e Greqisë është quajtur si “Kali i Trojës” dhe burime pranë qeverisë greke kanë nxituar të komentojnë se qëndrimi gjerman shihet tashmë si i tillë.

Të njëjtat burime deklarojnë se kërkesa e ministrit Varoufakis nuk i është çuar për aprovim Berlinit, por eurogrupit, që ka vetëm dy zgjedhje: ta pranojë atë, ose ta refuzojë… Dhe kjo do të tregojë se kush do apo jo një zgjidhje të problemit.

Sipas agjencisë “Reuters”, Greqia me këtë lëvizje ka bërë shumë lëshime dhe ka devijuar nga pozicionimet e saj të mëparshme, ndërsa në letër-kërkesën e saj mungojnë fjalët “Trojka” dhe “marrëveshje shpëtimi”.

Edhe “Financial Times” thekson se, fakti që do të mblidhet një eurogrup tjetër ditën e premte, tregon se Greqia ka ndryshuar taktikën. Megjithë kundërshtimin gjerman, kërkesa e Greqisë do të shqyrtohet përfundimisht në samitin e eurogrupit të së premtes.

Top Channel