Edi Rama u shfaq me shumë ngjyra në emisionin “Pushtime barbare” të Daria Bignardi-t në “La7”. Edhe Bignardi të tillë e prezantoi para publikut italian, në një prej emisioneve më të komentuara.
Ajo që bie në sy te të huajt për kryeministrin shqiptar është një stil ndryshe, nga stili zyrtar që kanë rëndom kryeministrat nëpër botë. Por përpara se t’ua shfaqte italianëve Edi Ramën dhe stilin e tij ndryshe, Daria Bignardi provoi të fliste pak shqip.
Daria Bignardi: Mirëmbrëma. E thashë mirë? “Mjaftueshëm mirë”, ia ktheu kryeministri Rama.
Edi Rama është krejt i vetëdijshëm për impaktin që ka te të huajt. Për gati 90 sekonda, italianët e panë kryeministrin shqiptar herë si artist, herë si politikan. Por në çdo rast, ai u prezantua si njeriu që shkatërron, për të ndërtuar me ngjyra.
Edi Rama, me një italishte që e zotëron që fëmijë, si një dhuratë nga gjyshja e tij katolike, dukej i shpenguar dhe pa komplekse kur tregonte për Shqipërinë e diktaturës komuniste; Shqipërinë e eksodit me anije; dhe Shqipërinë që fton italianët të investojnë të sigurt paratë e tyre. Aktualisht në Shqipëri janë mbi 20 mijë italianë që punojnë dhe studiojnë, por Edi Rama kërkon më shumë.
“Matteo ndoshta nxehet nëse më dëgjon, por unë them ‘Po’, të gjithë që duan të hapin një sipërmarrje le të vijnë në Shqipëri, sepse kanë gjithçka që nuk e kanë këtu”, tha Rama.
Bignardi: Jo të gjithë, na lini ndonjë.
“Jo se kemi vend për të gjithë, po duhet të nxitojnë për t’i zënë ato vende që kemi. Sepse mund të kenë gjithçka që nuk e kanë këtu: një regjim fiskal minimal, pra një taksë 15% për fitimin dhe vetëm atë, pastaj kontributet sociale janë të paguara nga shteti dhe kështu me radhë”.
Me Daria Bignardi-n komunikimi ishte shumë intensiv, aq sa Edi Rama e ndërpret drejtuesen e emisionit, kur ajo përpiqet t’i kujtojë se për shqiptarët ka pasur shumë etiketime, pas zbarkimit me anije në Itali 24 vjet më parë.
“Janë po ato që qarkullonin në Amerikë për gjyshërit tuaj, apo jo? Si për shembull: italianët, picat dhe mafia; ishin disa stereotipe që nuk përkonin me realitetin, por për fat të keq kështu vazhdoi për vite të tëra. Ndërsa sot, siç e thashë, ka 38 mijë shqiptarë që kanë themeluar ndërmarrje të vogla apo të mesme në Itali dhe ka qindra-mijëra të tjerë që punojnë, janë integruar, dhe kam kënaqësinë t’iu them se, prej vitesh, studentët shqiptarë në Itali janë studentët e huaj më të mirë këtu”, iu kundërpërgjigj kryeministri Rama.
I sapoemëruar kryeministër, kur e pyetën në Raitre sesi i sheh raportet me Italinë, Edi Rama u përgjigj se “italianët janë si shqiptarët, por të veshur me Versace”. Pas një viti e gjysmë, përgjigja për pyetjen sesi e sheh Italinë nuk ka ndryshuar shumë.
“Jo se Italia na bën të ëndërrojmë, siç na bënte të ëndërronim 25 vjet më parë, por mbetet gjithnjë një vend, që shqiptarët e kanë në zemër dhe për shumë arsye ndjehemi italianë, edhe pse nuk jemi të veshur me Versace”, deklaroi kryeministri Rama.
Gjatë 25 minutave në “La7”, Edi Rama foli për raportet shumë miqësore me kryeministrin italian Matteo Renzi, të cilit i doli përkrah në një çështje shumë të ndjeshme tani për Europën. Edi Rama mbështeti apelin e Italisë për përballimin e përbashkët të krizës së refugjatëve nga Libia. Dhe kjo ishte pjesa, ku Edi Rama veshi me lehtësi kostumin e kryeministrit.
“Këta që arrijnë këtu në Adriatik nuk mund të lihen aty, por as të priten nga një vend i vetëm. Duhet një plan evropian. Në gjithë këtë histori ka një mungesë të fortë të një Europe strategjike”, shtoi Rama.
Por pavarësisht problemeve të Europës, Edi Rama rikonfirmoi vullnetin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Europës.
“Europa e Bashkuar është zgjidhja e vetme e madhe kundër gjithë këtyre krizave, që riciklojnë veten në forma të ndryshme. Prandaj dalja nga Europa, mbyllja në vetvete, nuk të bën më të sigurt. Nuk besoj se problemi është Europa e bashkuar, por paplotshmëria e saj. Duhet vrapuar për ta bërë Europën një vend të madh qytetërimi dhe bashkëjetese mes feve”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Ftesa në “La7” te Daria Bignardi ishte një rast i mirë, që Edi Rama të promovonte harmoninë fetare në Shqipëri, ose siç huazoi shprehjen nga Papa Françesku, “vëllazërinë fetare në Shqipëri”. Si shembull mori familjen e tij.
“Unë jam katolik, sepse gjyshja ime donte të isha katolik. Edhe pse burri i saj, gjyshi im, ishte ortodoks. Gruaja ime është myslimane. Dy fëmijët e mi të parë janë ortodoksë, kurse djali i vogël katolik. Kjo është harmonia fetare në Shqipëri”, rrëfeu kreu i ekzekutivit shqiptar, Rama.
Prezantimi i kryeministrit shqiptar ka bërë shumë përshtypje tek italianët, të cilët kanë qenë shumë aktivë me komentet e tyre në rrjetet sociale. Shumë kanë vlerësuar Shqipërinë për kulturën e përcjellë dhe që u është dukur shumë e ngjashme me kulturën italiane. Disa të tjerë e kanë vlerësuar kryeministrin e Shqipërisë, si shumë më lart sesa ministrat italianë, madje ka patur edhe nga ata italianë, që kanë shprehur dëshirën ta kenë Edi Ramën kryeministër të tyre.
Top Channel