Ofensivë e ISIS ndaj pozicioneve kurde në Irbil

18/02/2015 00:00

Luftëtarët e ISIS kanë nisur ofensiva të reja mbrëmjen e së martës në jugperëndim të Irbilit në rajonin kurd të Irakut, kanë thënë zyrtarë kurdë.

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar pranë qyteteve Gwer dhe Makhmour, një burim kurd ka thënë për CNN. Këto dy qytete janë rreth 45 kilometra nga Irbili, kryeqyteti kurd.  Zyrtari kurd ka thënë se rebelët kanë sulmuar në disa drejtime pozicionet kurde, ndërsa avionët e koalicionit nuk kanë mundur të bombardojnë për shkak të afërsisë së dy palëve në terren.

Ditë më parë është thënë nga kurdët se militantët e ISIS po bëjnë përpjekje të përditshme për të depërtuar në këto qytete, përgjatë lumit Zab. Në janar, rreth 30 luftëtarë Peshmerga u vranë në këtë zona nga një sulm i papritur i ISIS përtej lumit.

Sulmet e së martës janë një kundërpërgjigje e ISIS ndaj forcave kurde, të cilat kohët e fundit janë përpjekur për të rrethuar qytetin e Mosulit, për të ndërprerë rrugët lidhëse të ISIS me Sirinë.

Top Channel