Ukrainë, askush nuk tërhiqet. Palët ruajnë pozicionet e armëve të rënda

17/02/2015 00:00

Afati i së hënës skadoi dhe as trupat qeveritare të Kievit, as rebelët separatistë nuk e kanë nisur tërheqjen e armatimeve të rënda nga vija e frontit.

Dy palët kishin dy ditë kohë nga hyrja në fuqi e armëpushimit, për të respektuar njërën prej pikave kyçe të tij. Ekzekutivi ukrainas justifikohet duke thënë se nuk ka tërheqje, pa u mbyllur më parë luftimet në Debaltseve.

Mbështetësit e Moskës në lindje të vendit thonë se qytetin e kanë ata nën kontroll, e për pasojë u përket, çka përligj sipas tyre atë çfarë ndodh brenda territorit. Justifikimi që nxjerrin është se nuk ka pasur asnjë të shtënë pranë vijës së frontit, e në këndvështrimin e rebelëve duhet të jetë e mjaftueshme për ta konsideruar pushimzjarrin si të respektuar.

Por për Kievin, kjo nuk mjafton.

“Parakushti kryesor për tërheqjen e armatimeve të rënda është përmbushja e pikës së parë të marrëveshjes së Minskut, e ai është armëpushimi. 112 sulme në më pak se tre ditë nuk janë aspak tregues i një pushimzjarri në fuqi”, tha Andriy Lysenko, zëdhënës i ushtrisë ukrainase.

Liderët e Gjermanisë, Ukrainës e Rusisë e diskutuan edhe një herë krizën përmes një bisede telefonike mbrëmjen e djeshme. Të martën, Berlini pohoi se është dakord për “masa konkrete”, në mënyrë që monitoruesit e OSBE-së të kenë qasje më të madhe në terren, por pa dhënë detaje të tjera.

Reporterët e “Reuters”-it pranë Debaltseves thonë se qyteti bombardohet pa reshtur me artileri. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, përcolli shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për situatën atje e u bëri thirrje Moskës dhe separatistëve t’i ndalojnë menjëherë të gjitha sulmet.

Top Channel