Sezoni turistik në prag, pala greke zgjat orarin për kalimet në pikën kufitare të Qafë Botës Komisioni Europian njoftoi për 118 mijë euro ndihmë shtesë ndaj 8000 shqiptarëve, që banojnë në zonat më të dëmtuara nga përmbytjet, duke ofruar pako ushqimore e higjenike, batanije, si dhe informacion shpjegues për kujdesin ndaj shëndetit, në mënyrë që të shmangen epidemitë e mundshme, veçanërisht pas largimit të ujrave.
Paratë vijnë nga Fondi për Ndihmën Emergjente ndaj Fatkeqësive, të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe, dhe ndihma përcillet përmes Kryqit të Kuq shqiptar. Tirana aplikoi për këtë ndihmë, ndërsa Shkupi jo, sqaroi zëdhënësja e Komisionit, Catherine Ray, kur u pyet pse nuk shkon e njëjta ndihmë për Maqedoninë.
“Po, e lajmëruam sot këtë ndihmë për Shqipërinë, ndërsa Maqedonia nuk e ka kërkuar për momentin. Nuk ka aplikuar për ndihmën e BE-së. Sigurisht që ne e monitorojmë nga afër situatën në vend dhe do të reagojmë nëse nevojitet”, tha Catherine Ray, zëdhënëse e KE.
Kjo ndihmesë vjen pas ndihmës së dhënë nga disa vende pjesëmarrëse të mekanizmit të BE-së për mbrojtjen civile. Sipas komisionit, Austria, Kroacia, Sllovakia e Mali i Zi kanë dërguar shtretër, dyshekë praktikë, batanije, tenda, enë kuzhine, gjeneratorë, çizme shiu dhe pallto drejt Shqipërisë, ndërsa një ekip u nis nga Brukseli drejt Tiranës për të koordinuar ndihmën e ardhur.
“Ky është solidariteti europian në praktikë”, shprehet në komunikatën e posaçme për shtyp, Komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Përgjigjen ndaj Krizave, Stylianides.
Komisioni Europian kontribuon çdo vit për Fondin e Emergjencës ndaj Fatkeqësive të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, dhe kjo shumë sipas marrëveshjes së 2014-s është 3 milionë euro.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel