Hetimi i tregut të karburanteve, kreu i konkurrencës shpjegon arsyet e vendimit

17/02/2015 00:00

Asnjë masë ndëshkuese nuk u mor ndaj kompanive nën hetim të tregut të karburanteve, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimet.

Lindita Lati, kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ku foli në lidhje me rekomandimet e bëra si dhe me detajet e hetimit.

Pandi Gjata: Si ka qenë vendimi i marrë nga Autoriteti i Konkurrencës në raport me atë të Sekretariatit, a ka qenë në unison, apo ka patur divergjenca?

Lindita Lati: Autoriteti i Konkurrencës procedurën e vendimmarrjes nga ana e komisionit e ka si rrjedhojë të një procesi, i cili bazohet në raportin e Sekretariatit, në relacionet e Sekretares së Përgjithshme, në mendimet e drejtorëve edhe në pretenimet e palëve. Gjatë procesit të seancës dëgjimore që komisioni realizon me palët, atyre u kërkohet informacion shtesë për të hedhur dritë mbi dimensionin e fenomeneve, të cilat diskutohen në raport. Ligji përmban shtyllat kryesore, por ligji i konkurrencës nuk është thjesht juridik. Standardi i provës nga Autoriteti i Konkurrencës, në bazë të ligjit për Gjykatën Administrative, i takon Autoritetit të Konkurrencës dhe komisioni kërkon të provojë nëse evidencat, faktet dhe provat që paraqiten në raport përkundrejt përcaktimit që jep raporti. Periudha e vendimmarrjes merr kohë sepse Komisioni i Konkurrencës shikon jo vetëm dosjen hetimore, konsultohet me praktikat më të mira të doktrinës së konkurrencës dhe njëkohësisht kërkon që te hedhë dritë dhe të krijojë bindjen për mënyrën se si do të shprehet. Në këtë rast ishim në një situatë që nuk është e veçantë për Autoritetin e Konkurrencës, ne kemi pasur edhe raste të tjera kur Komisioni i Konkurrencës ka marrë një vendim të ndryshëm nga konkluzioni final. Në këtë rast, Sekretariati i propozoi Komisionit se kishim të bënim me dominancë kolektive, me abuzim, për rrjedhojë të vendosej gjoba. Komisioni i Konkurrencës argumentoi se faktet dhe provat që paraqiste grupi i punës nuk hidhnin dritë mjaftueshëm që kishim të bënim me dominancë kolektive të firmave dhe në këto kushte ne nuk mund të quanim se kishim të bënim me abuzim. Në mënyrë absolute, komisioni i shpreh qartë se tregu i karburanteve nuk është një treg me konkurrencë të mjaftueshme.

Pandi Gjata: Të qëndrojmë te argumentet kryesore për mos vendosjen e gjobës, por edhe rekomandimet që ju dhatë në këtë raport. Cilat janë argumentet që ju dhatë për mos vendosjen e gjobës?

Lindita Lati: Tregu i karburanteve është një treg shumë sensitiv që ndikon te konsumatori, ndikon te ekonomia në shkallë shumë të gjerë dhe është shumë jetike. Synimi kryesor i Komisionit të Konkurrencës e ka për të patur një ndikim për rritjen e efiçencës së tregjeve. A mund të jetë gjoba një qëllim në vetvete? Po të shohim të gjithë historikun e Autoritetit të Konkurrencës gjobat e vendosura zënë një masë të konsiderueshme, mund të them që janë mbi 1.3 miliardë lekë, por vetëm 25% e tyre janë arkëtuar. Ne kemi vendime të vitit 2005 që akoma vazhdojnë me procedura gjyqësore. Ne qëndruam në analizën e karakteristikave të tregut që ne kemi dhe përse ky treg. Ne dhamë rekomandimin për njësinë e transparencës, e cila u bazua në eksperiencën e Autoritetit gjerman të Konkurrencës. Edhe në Gjermani, po ashtu si edhe në vende të tjera, është evident fakti që çmimi i karburanteve ngrihet në mënyrë të menjëhershme, por kur ulet çmimi i bursës nuk është i njëjti reflektim. Strukturat e tregut sjellin mirëfunksionim të tregut, ndërsa sjella e firmës duhet të provohet mirë në të dyja pistat.

Pandi Gjata: Ju sillni shembullin e Gjermanisë, por ne jemi në Shqipëri. Si mund të funksionojë kjo njësi e transparencës së çmimit?

Lindita Lati: Kjo është një njësi që mund të vendoset pranë Ministrisë së Ekonomisë. Rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës duhet të merren në konsideratë. Në Gjermani u desh gati një vit që të ndërtohej e gjithë qeliza dhe në Gjermani ngritja e çmimit brenda 5 minutave firmat duhet të njoftonin Autoritetin e Konkurrencës dhe Njësinë e Transparencës. Për efekt të infrastrukturës, ne vendosëm 5 deri në 15 minuta dhe kjo është e mundshme. Gjithashtu është e mundshme të vendoset matja reale dhe lufta ndaj evazionit fiskal tek firmat e pakicës. Ligji i hidrokarbureve thotë se firmat e shumicës nuk mund të shesin direkt, duhet të ndërtojnë SH.P.K për të realizuar shitje me pakicë. Njëkohësisht është për t’u parë edhe tregu i importit. Ne pamë që tregu i importit vjen duke e rritur akoma dhe më tepër përqendrimin. Janë tre firma që posedojnë gati 90% të këtij tregu dhe kjo duhet parë me kujdes nga politikbërja. Ndërsa te magazinat doganore duhet të rritet transparenca, për të parë se si realizohen transaksionet dhe si matet në realitet niveli i aktivitetit ekonomik.

Pandi Gjata: Pra, ka marrëveshje për realizimin e importeve të përbashkëta. Cila është marrëveshja dhe si duhet ta marrin miratimin nga Autoriteti?

Lindita Lati: Një nga pistat ku u mbështet grupi i punës ishte ekzistenca e blerjeve të përbashkëta, por që nuk u provua nëse kishim efekt të përbashkët te niveli i çmimeve midis firmave. Komisioni i Konkurrencës thotë që blerjet e përbashkëta ulin kostot, por presin që këto kosto ta shohin te çmimi i pakicës. Tregu i importit realizohet nëpërmjet dy modeleve, Porti Vlora 1 dhe Porto Romano. Shumica e hidrokarbureve që sjellin firmat e importit e shesin në zonën e lirë doganore. Një identifikuam edhe një element tjetër, ku firmat vendosin një komision, i cili ishte i ndryshëm midis zonave, por që nuk gjetëm asnjë logjik ekonomike në vendosjen e këtyre komisioneve. Ne themi që duke ndryshuar ligjin e hidrokarbureve, firmat duke shitur direkt në pakicë do të kenë mundësi të forcojnë edhe konkurrencën.

Pandi Gjata: Sipas Autoritetit, fitimet që kompanitë kanë arritur kanë ardhur për shkak të legjislacionit. Kostot shtesë për qytetarët apo për dëmin ekonomik që është shkaktuar në këtë periudhë, kush e paguan? Çfarë rekomandimesh keni?

Lindita Lati: Ndryshimet strukturore është një ndër elementët, por njëkohësisht është për t’u parë edhe mënyrat se si funksionojnë dy portet hyrëse të karburantit. Njëkohësisht nuk duhet të harrohet edhe shkalla e informalitetit. Nga provat e fundit që po dalin, ne po identifikojmë që ka evidenca shumë të plota. Kohët e fundit janë vendosur shumë gjoba për shkak të cilësisë së keqe të karburantit. Abuzimi me karburantin është te cilësia dhe te sasia me të cilën ne furnizohemi. Prandaj kërkohet një kombinim i të gjithë institucioneve, të cilat do të kenë mundësi të vendosin një ligjshmëri në veprimtarinë ekonomike të firmave kundrejt kostove që ato i ofrojnë konsumatorit.

Pandi Gjata: Sa besoni se do të merren parasysh të gjitha këto rekomandime që ju bëni? Çfarë duhet të funksionojë që këto rekomandime të zbatohen?

Lindita Lati: Është shumë i rëndësishëm koordinimi dhe bashkëpunimi institucional. Në vitin që kaloi Komisioni i Konkurrencës është fokusuar më shumë në rekomandime për mirëfunksionimin e tregjeve. Për një gjë unë dua të siguroj që argumentet që është bazuar Komisioni i konurrencës nuk kanë qenë tipike shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA