Shkup, Gruevski nuk komenton përgjimet: Zaev kërkon të marrë pushtetin me dhunë

16/02/2015 00:00

Kryeministri Nikolla Gruevski të hënën nuk ka folur në mënyrë konkrete për bisedat e përgjuara të zyrtarëve të qeverisë së tij që u publikuan nga opozita maqedonase.

I pyetur për aferën e përgjimeve, Gruevski përsëriti deklaratën e bërë gjatë një konference për shtyp dy javë më parë, kur paralajmëroi padinë kundër liderit të opozitës Zoran Zaev, të cilin e ka akuzuar se po tenton të marrë pushtetin me dhunë.

“Në lidhje me këtë çështje kisha një konferencë për media kohë më parë, në të cilën paralajmërova këto gjëra që po ndodhin. Kam zhvilluar katër takime me Zoran Zaev, ku ai më ka informuar se materialet i ka siguruar nga shërbimet e huaja sekrete dhe se të njëjtat synon t’i publikojë nëse unë nuk pajtohem për krijimin e një qeverie teknike. Unë nuk kam pranuar kërkesën e tij dhe i kam kërkuar që të publikojë çfarëdo që posedon. Pra, sot nuk do të komentoja më shumë, por në periudhën në vijim do të dal me komente më konkrete”, ka thënë Gruevski.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, një ditë më parë publikoi materiale të reja nga afera e përgjimeve. Ai publikoi disa biseda telefonike, për të cilat tha se dëshmojnë kontrollin e qeverisë ndaj gjyqësorit përmes emërimit të gjykatësve dhe montimit të vendimeve të gjyqësorit.

Sipas Zaevit, në njërën nga bisedat e përgjuara dëgjohet shefi i shërbimit serkret shtetëror, Sasho Mijallkov dhe zv/kryeministri Musa Xhaferi, duke biseduar për emërimin e kryetarit të Gjykatës Supreme. Në një material tjetër dëgjohet ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska duke biseduar me ministrin e Financave Zoran Stavrevski, të cilit i sqaron se ka biseduar me prokurorin Marko Zvrlevski për anulimin e një padie penale kundër tij.

“Kjo, në mëyrë të qartë sqaron pse burgjet në Maqedoni janë të mbushura me të burgosur politikë, si montohen proceset gjyqësore kundër atyre që mendojnë ndryshe, si montohen vendimet gjyqësore kundër gazetarëve që nuk bashkëpunojnë me qeverinë dhe kundër të gjithë atyre që nuk bashkëpunojnë me pushtetin”, ka thënë Zaev.

Zaev është i bindur se do ta rrëzojë Gruevskin nga pushteti përmes publikimit të aferave kriminale të qeverisë. Ai thotë se ka për qëllim të kthej lirinë dhe demokracinë në vend.

Top Channel