Greqia refuzon propozimet e Eurogrupit, kohë deri të premten për të vendosur

16/02/2015 00:00

Plotësisht në një rrugë pa krye kanë përfunduar negociatat e Greqisë me partnerët e saj në mbrëmjen e së hënës, pasi pala greke ka ndërprerë punimet e samitit të Eurogrupit duke hedhur poshtë marrëveshjen paraprake të propozuar nga ministrat e Financave të Eurozonës.

Çdo gjë ka ndodhur pasi është publikuar deklarata e plotë e kësaj marrëveshjeje, në të cilën sipas ministrit grek të Financave, Janis Varufakis duket qartë insistimi i BE dhe FMN që Greqia të zbatojë programin ekzistues dhe kjo sipas tij është e papranueshme dhe humbje kohe.

Qeveria “Tsiparas” u kishte propozuar huadhënësve të saj se do të pranonte 70% të marrëveshjeve të mëparshme dhe do të ndryshonte pjesën tjetër me masa të karakterit social për të luftuar krizën humanitare, por ka hasur në këmbënguljen e partnereve që të mos ndryshohet asgjë nga kushtet e deritanishme, përveç kohëzgjatjes së zabtimit të masave për një 6-mujor tjetër.

Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem,ka deklaruar në konferencën për shtyp se ‘topi tashmë ndodhet në fushën e grekëve’.

“Ndjesia e përgjithshme në Eurogrup është ende se mënyra më e mirë për të ecur para do të ishte që autoritetet greke të kërkonin një zgjatje të programit. Nëse do te na vinte kjo kërkesë, ne natyrisht do të kërkonim nga  institucionet për ta parë atë dhe për t’u këshilluar dhe pas një rezultati pozitiv, ne do të mund të kemi një Eurogroup shtesë të premten, por kjo është tepër herët për ta vendosur”, tha Dijsselbloem.

Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjatjes së programit ekzistues ,duhet të jemi të logjikshëm dhe jo idealiste është shprehur edhe komisioneri për Financat, Pierre Moscovici. Nga ana e saj ,kreu i FMN, Christine Lagarde ka paralajmëruar se nuk mund të disbursohet kësti i marsit për Greqinë nëse nuk ka një marrëveshje midis Athinës dhe partnerëve.

Memorandumi i ndihmës që i është dhënë Greqisë nga FMN, BE  dhe BQE skadon në 28 shkurt dhe nëse Athina nuk bie dakord rrezikon të përballojë probleme të mëdha financiare dhe likuiditeti bankar do të jetë i pashmangshëm.

Top Channel