Shkup, studentët bllokojnë universitetin, kundërshtojnë ligjin për arsimin e lartë

15/02/2015 00:00

Qindra studentë, për të katërtën ditë me radhë, po mbajnë të bllokuara ambientet e Fakultetit Filozofik, Teknik dhe Filologjik në Shkup, ku kanë shpallur të ashtuquajturën “Zonë Autonome Akademike”. Shumica prej tyre kalojnë edhe natën nëpër hapësirat e fakulteteve, kurse mësimi është ndërprerë.

Studentët kërkojnë të shfuqizohet ligji i ri për arsimin e lartë, pasi vlerësojnë se me të pushteti cënon autonominë e universiteteve në vend.

“Kjo është dita e katërt që jemi këtu dhe për çdo ditë rritet numri i studentëve që na bashkëngjiten. Ne do të qëndrojmë këtu, derisa kërkesat tona të përmbushen. Nisma që kemi marrë për bllokimin e hapësirave të fakulteteve mund të zgjerohet, nëse pushteti nuk dëgjon kërkesat tona”, tha Vasko Kostovski, student.

Studentët nuk pajtohen me vendimin e pushtetit, që të shtyhet vetëm për një vit zbatimi i ligjit për arsimin e lartë dhe aplikimi i provimit shtetëror, por kërkojnë të hartohet një ligj tjetër, ku do të përfshihen edhe kërkesat e tyre.

Edhe përkundër presioneve të shumta, protestës së studentëve i janë bashkëngjitur edhe disa profesorë.

“Presionet që vijnë nga ana tjetër janë të shumta. Nga ne dhe studentët, kërkohet që të tërhiqemi nga protesta dhe të ulemi në bisedime. Por, bisedime nuk mund të ketë, nëse paraprakisht nuk anulohet ligji për arsimin e lartë, që u soll pa u konsultuar me universitetet”, tha Nebojsha Viliç, profesor.

Beteja e studentëve për mbrojtjen e autonomisë së universiteteve ka gjetur përkrahje të madhe te qytetarët, të cilët mbështetjen e tyre e shprehin duke iu sjellë ushqim të rinjve.

Nga Ministria e Arsimit thonë se veprimi i studentëve është i papranueshëm, pasi një pjesë e kërkesave të tyre janë pranuar dhe është vendosur që të shtyhet për një vit zbatimi i ligjit për arsimin e lartë dhe aplikimi i provimit shtetëror.

Top Channel