Kryeministër udhëto drejt Brukselit!

15/02/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Autobusët që marrin familje dhe të rinj nga Kosova drejt Hungarisë nuk kanë reshtur. Në kufirin serbo-hungarez, edhe pse janë shtuar kontrollet, edhe pse pretendohet për ndalesa e barriera, edhe pse janë shtuar përforcime gjermane e hungareze të policive, sërish fluksi nuk resht.

Edhe në ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt, nga stacionet e autobusëve të Prishtinës u larguan masa të mëdha qytetarësh. Përforcimet e policive, nuk po e ndalin këtë mërgim të mijëra njerëzve. Kësi masash, duket se po rrisin arbitrarisht mundësitë e trafikantëve dhe organizatorëve të transporteve nëpër zonat prej nga ndjekin itinerarin e vërshimit drejt BE-së këta qytetarë. Pagesat për shërbimet individuale të kontrabandistëve në zonat kufitare, pas kësi masash, rriten nga 150 euro në 300.

Reportazhet dhe raportimet e Idro Seferit nga zonat kufitare, në pikat e kalimit kufitar dhe mjediset e policisë hungareze, të krijojnë të njëjtin asosacion me ato të pikave të kufirit të Shqipërisë me Greqinë në fillimvitet ’90. Nëna dhe fëmijë që shtegtojnë në arrati nëpër vise me të ftohtë dhe në kushte skandaloze. Një refugjim, i cili nuk buron nga frika e bombardimeve të viseve të origjinës, apo vendbanimeve ku kanë shtëpitë e tyre shtetasit e Kosovës, por prej një gjendjeje të pashpresë në republikën shtatëvjeçare të tyre.

Rrëfimet e përcjella në mediat e rajonit dhe ato të vendeve të Europës për këtë valë të pandalshme emigrimi të shqiptarëve të Kosovës, nuk po japin atë ndjeshmëri që do të pritej nëse do të ndodhte me dikënd tjetër në Ballkan apo Europën Juglindore. Pse kjo pandjeshmëri? Pse ky kalvar për shtetasit e një vendi dhe republike të saposhpallur dhe të pranuar me aq shumë pengesa e vështirësi?

Arsyet e këtij emigrimi masiv, po i komentojnë e diskutojnë të gjithë, por shumë më pak institucionet e krijuara për kësi masash dhe përkujdesjeje nga Brukseli dhe network-u i vendeve ballkanike. Kjo valë emigrimi është më komplekse nga sa e kemi trajtuar gjer tani, si dukuri të largimit të organizuar nga stacionet e autobusëve të Prishtinës. Ndodhi në një kohë kur gjer më parë nuk ishte kaq e lirë dalja dhe hyrja e shtetasve të Kosovës prej Merdares apo pikave të tjera që lidhin Serbinë me Kosovën. Ndodh pikërisht në pikun e një krize politike në Kosovë, kur protestat e opozitës e shtojnë edhe më tepër perceptimin e një refuzimi të egër ndaj qeverisë së re të kryeministrit Isa Mustafa. Kjo qeveri, qysh në tre muajt e parë, na ka lënë shijen e një ekzekutivi të ndenjur, për shkak të ortakut në qeveri, ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Skena politike e Prishtinës, qysh prej muajit të shkuar e gjer më sot, e ka eklipsuar vërshimin e emigrantëve që lënë Kosovën dhe po boshatisin banesat e tyre nëpër zona të vendit. Lajmet bëhen edhe më trishtuese, kur vëren se tendenca për ikje, nuk lidhet vetëm me të papunët në Mitrovicë, në Skënderaj, në Rahovec, në Therandë apo gjetkë, por prek e përfshin edhe të punësuarit nëpër ndërmarrje apo institucione të Prishtinës. Në brendi të kësaj ikjeje ka një arsye dhe shkak më të thellë dhe më kompleks(!) Koha e gëzimit dhe e triumfit të bërjes së Republikës dhe të fitores së pavarësisë nuk ushqen më askënd dhe nuk ka më vlerën e një “ampule” për optimizëm. Ideali u farua dhe ngjau siç e pat thënë poeti: “Kur u ndal kënga e fitores, u ndie akulli nën këpucët e grisura”. Shpirti i qytetarëve të Kosovës në vitin e shtatë të pavarësisë, po ndien ftohtësinë e mospasjes, po vuan pamjaftueshmërinë për jetesë dhe minimumin jetik që ulet e ulet pareshtur, duke e çuar mbretërinë e dëshpërimit gjer edhe tek sytë e fëmijëve.

Gjatë gjithë kohës së kësaj fushate të rizbrazjes së Kosovës, kemi diskutuar arsyet empirike dhe pasojat që shkakton ajo në perspektivën e shoqërisë dhe vendit. Por edhe pse u bënë më tepër se tre muaj që vijon kënga e arratisë nëpër stacione dhe autobusë, sërish një zë apo dorë që ofron ndalimin përmes një projekti të ri, nuk po shfaqet dhe as që ka gjasa të duket. Zëra të shumtë të opinionbërjes shqiptare, përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare dhe sidomos ajo që i shërben vijueshmërisht opsionit mbështetës dhe inkurajues të Kosovës, këmbëngulin për një strategji të re reagimi dhe ndërhyrjeje. Pse nuk po institucionalizohet ende ajo?

Raportimet në media dhe disa prononcime zyrtarësh bëjnë me dije se rreth 50 mijë qytetarë janë larguar. Kjo është një masë e konsiderueshme, por nuk është një fatalitet. Mirëpo nëse dëshpërimit në rritje të qytetarëve për ikje dhe arrati nga vendi, i mbivendoset një politikë konflikti dhe antagonizmash si në kohë okupacioni, atëherë, themelet e republikës së vogël dhe të re, ngjizen me themelinë e një konflikti që nuk rresht dhe shndërrohet si alibi e përhershme për korrupsionin, hajninë dhe varfërimin e së sotmes dhe së ardhmes së shoqërisë dhe vendit. Depresioni social i shoqërisë në kësi rrethanash ngjitet me depresionin moral e atë shpirtëror të shtetasve.

Në këtë depresion me pasojë braktisjen, nuk po përfshihen individët e pakicës serbe, ata që prej vitesh janë bërë tashmë banorë të enklavave. Madje kjo pakicë, përfaqësuesit e vet politikë në Kosovë, po i përfshin dhe i përdor për lojën politike konfliktuale që po zhvillojnë pozita dhe opozita e papjekur e Kosovës.

Përballë kësaj krize që nuk del dhe vjen vetëm prej qeverisë së re, Kosova ka nevojë për një projekt të ri të kërkimit të ndihmës dhe të menaxhimit të saj. Nuk është vonë që Kryeministri Mustafa të ndryshonte axhendën e takimit të paralajmëruar për mbledhjen e përbashkët të radhës me qeverinë e Shqipërisë. Kjo është një mundësi për të kryer një akt për forcë të re menaxhimi dhe ristrukturimi të projektit ndërveprues në fushën sociale dhe atë të reciprocitetit ekonomik brenda hapësirës shqiptare. Në një mbledhje të tillë, reagimi i përbashkët për inkurajim prej BE-së dhe organizmave financiare ndërkombëtare në kuadër edhe të dëshmimit të vullnetit për frenim të arratisë emigruese, do të vlente jo vetëm për situatën e pazakontë të Kosovës, por edhe për vetë qeverinë e Shqipërisë. Qeveritë e dy vendeve në kuadër të proceseve integruese dhe falë mundësisë së përfaqësive të tyre diplomatike në Bruksel, do të ishte më e vlefshme të këmbëngulnin dhe kërkonin një seancë dëgjimore apo qoftë edhe trajtimi brenda Këshillit të Ministrave të BE-së, pse jo edhe në Parlament, për të konfirmuar se kujdestaria e vetëqeverisjes së shqiptarëve në Kosovë, funksionon jo si barrë, por bashkëpërgjegjësi me qetësinë dhe frenimin e rrjedhave të emigracionit drejt Europës Qendrore. Në kësi reagimi, qeveria e Isa Mustafës apo edhe mbështetja prej qeverisë së Edi Ramës, i kujtojnë burokracisë europiane se ekzilimi i shqiptarëve të Kosovës është një rast që buron ndër të tjera edhe prej pakujdesisë së tyre ndaj një shteti të ri të sapopavarësuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA