ISIS i afrohet më shumë Europës, merr Sirten në Libi

13/02/2015 00:00

Koalicioni ndërkombëtar kundër ISIS-it ka përqendruar sulmet në Irak dhe Siri për të parandaluar përhapjen e xhihadistëve, por raportohet se këta të fundit kanë rritur aktivitetin e tyre në Libi.

Në disa faqe interneti të lidhura me ISIS është publikuar lajmi se “Kalifati” ka vënë nën kontroll qytetin e Sirtes, 500 kilometra larg kryeqytetit Tripoli. Sipas këtyre raportimeve militantët ekstremistë kanë ‘de facto’ nën kontroll gjithë qytetin, përfshirë këtu edhe një stacion radiofonik që ka nisur të transmetojë propagandën e tyre dhe fjalimet e udhëheqësi të kalifatit të vetshpallur.

Reagimi i parë nga vendet perëndimore ka mbërritur prej Italisë. Ministria e Jashtme italiane u ka kërkuar të gjithë shtetasve të vet që ndodhen në Libi që të largohen mennjëherë prej andej për shkak të rrezikut të ISIS-it.

Të njëjtin urdhër ka dhënë edhe Egjipti për shtetasit e tij, menjëherë pas njoftimit të shpërndarë prej militantëve ku pretendohet se kanë kapur 21 egjiptianë të krishterë koptë.

Pas Sirisë dhe Irakut, Libia konsiderohet si një ndër shtetet me aktivitetin më të lartë të ISIS dhe mbështetësve të tij, të cilët kanë gjetur terren nga mungesa dhe pafuqia e autoriteteve të reja të dala pas përmbysjes së regjimit të Gadafit.

Sirte ka qenë një fortesë për grupet ekstremiste, mes të cilave Ansar al-Sharia dhe Fajr Lybia. Këto dy grupe mendohet se kanë në radhët e tyre qindra luftëtarë dhe për momentin nuk dihet qendrimi që do të mbajnë ndaj ISIS.

Analistët ndërkombëtarë thonë se ISIS do të përpiqet të vendosë nën umbrellën e tij të dyja këto organizata, ose të paktën të bëjë një aleancë me ta për të shmangur luftën në disa fronte.

Top Channel