Aktet terroriste, Minxhozi: Polemikat, tepër negative. Nishani “parapolitik”, ndërhyrje për arsye meskine

13/02/2015 00:00

Për të folur mbi zhvillimet e ditëve të fundit, duke nisur nga aktet terroriste në Tiranë dhe bombat që kërcënuan drejtpërdrejtë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe familjarë të tij, por edhe të një oficeri të lartë policie, si dhe për reagimin e fundit të Presidentit Nishani, i ftuar në studion e edicionit qendror të lajmeve ka qenë Skënder Minxhozi, kryeredaktor i revistës “Java”.

Ilir Paço: Kjo javë u shënua nga një seri aktesh terroriste në Tiranë, me shpërthimet që prekën familjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por dhe të një oficeri të lartë policie. Por, teksa kanë kaluar tre ditë nga shpërthimet, duket se kanë kaluar në plan të dytë kjo ngjarje, pasi po mbizotërojnë polemikat politike për këto dhe për gjëra të tjera, ku palët janë të ndara në ekstrem.

Skënder Minxhozi: Do t’iu korrigjoja nëse më lejoni, për të thënë se polemikat nuk e pasuan ngjarjen, por e shoqëruan atë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, konkretisht polemikat me procesin e përmbytjeve. Një fenomen tërësisht negativ, që na nxjerr një problematikë mjaft komplekse të politikës shqiptare, pikërisht atë të paragjykimit të gjithçkaje, kur proceset dhe fenomenet janë ende në zhvillim. Për t’iu përgjigjur pyetjes, ajo që ndodhi me Tahirin dhe familjen e tij është për t’u dënuar në mënyrë të hapur. Ju transmetuat mesazhet e solidaritetit nga europarlamentarët, si dhe telefonatën e përzemërt të ministrit të Brendshëm italian, Alfano, në mbështetje të ministrit tonë. Dhe kur mesazhet e të huajve i vë përballë reagimeve të shqiptarëve është për të ardhur keq, që opozita nuk gjeti kohën për një mesazh sado të shkurtër dhe formal në mbështetje të ministrit. Kur Saimir Tahirin e merr në telefon Alfano nga Roma, nuk ka asnjë arsye në botë që këtë gjë të mos e bënte edhe Basha, për një mesazh solidariteti, gjë që do të ishte një gjest çtensionues. Ne shpesh i ngatërrojmë periudhat e solidaritetit me ato të polemikave, duke i prishur që të dyja.

Ilir Paço: Opozita thotë se situata aktuale është pasojë e mpleksjes së policisë dhe ministrit me krimin, ndërsa mazhoranca, por edhe disa ambasada të huaja, kërkojnë dënimin me forcë të krimit. A mendoni se këto polemika në njëfarë mënyre ndihmojnë indirekt krimin, siç e thonë edhe zyrtarë të mazhorancës?

Skënder Minxhozi: Ka ardhur dhe ka kaluar koha që opozita të vërtetojë me prova ato që thotë. Ka ardhur dhe ka kaluar koha prej muajsh e vitesh, që opozita-  dhe kjo vlen për çdo opozitë përfshi atë të majtë të kaluar që sot është në Qeveri, – të ofrojë prova për ata që etiketon, për kundërshtarët politikë, sidomos kur ata janë zyrtarë të lartë të shtetit. Të etiketosh një ministër të Brendshëm, siç është bërë me Tahirin, është diçka që jo vetëm vesh me barrë dhe përgjegjësi ministrin që sulmohet, por veshin me një barrë përgjegjësie të provës edhe ata që e bëjnë akuzën. Në Parlamentin shqiptar, ku fjala është e papërgjegjshme dhe ku shpifja është depenalizuar, ky “privilegj i vogël” keqpërdoret prej shumë kohësh. Opozita duhet të japë prova, që ministri ose zyrtarë të tjerë janë të implikuar konkretisht me krimin ose me fenomene të tjera antiligjore, ose të na thonë që kjo është propaganda e tyre dhe ne t’i vëmë diçiturën që ka.

Ilir Paço: Në kulmin e polemikave politike për shpërthimet, dje u zgjua me më shume forcë se më parë një konflikt, herë i fshehur e herë i hapur, mes Presidentit dhe Qeverisë me deklaratën e Presidencës.

Skënder Minxhozi: Është për të ardhur keq, që në gjithë këtë rrëmujë tritoli, Presidenti u fut, por jo për shkaqe kaq të rënda dhe kaq shpërthyese. Përkundrazi ai u fut për një arsye shumë meskine, për arsye pronësie, ku është thirrur në kauzë nga mediat dhe përfaqësues të opozitës, pra për shembjen eventuale të një objekti kulti në Elbasan. Do të kisha dashur, që Nishani të kishte bërë vërejtje kaq parimore në një moment tjetër dhe jo kur e bëri, pasi nuk përkon pesha e asaj që Presidenti tha me natyrën delikate dhe personale të momentit që kalonte, kur sulmohej për një pronë jashtë Tirane. Do të thoja se ka ardhur koha, që Presidenti i Republikës të gjejë një formulë për t’u shprehur mediatikisht në raport me Qeverinë, pasi nëse Qeveria i ka kërcënuar tagrin apo e kërcënon për t’i marrë institucionin, mjafton që ai të ruajë qetësinë nga lartësia e postit që ka. Por, ky President di të bëjë mesa duket vetëm deklarime parapolitike, sepse kam frikë që është një kryetar shteti parapolitik. Pra, që nuk iu bindet rregullave të politikës dhe protokollit.

Top Channel