Agresioni rus, SHBA rikthejnë në Europë “shkatërruesit e tankeve”

13/02/2015 00:00

Forcat Ajrore amerikane kanë rikthyer në Europë avionët luftarakë me funksion shkatërrimin e tankeve. Shërbimet e Komandës Europiane bënë të ditur këtë javë se 12 avionë “A-10 Thunderbolt” do të nisen drejt bazës ajrore të Spangdahlemit në Gjermani, si pjesë e Operacionit për Ruajtjen e Atlantikut, që u krijua pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përgjatë vitit të kaluar.

“Forcat Ajrore janë duke shtuar prezencën e herëpashershme në Europë, për të siguruar aleatët dhe partnerët tanë se angazhimi ynë për sigurinë europiane është një prioritet”, tha ushtaraku Tom Jones, zv.komandant i Forcave Ajrore amerikane në Europë.

Forcat Ajrore shtuan se përveç operimit në Gjermani, avionë të tillë si “A-10” do të dislokohen në vazhdimësi edhe në kombet e tjera partnere në Europën Lindore. Forcat amerikane kanë operuar pa pasur baza në Lituani, Estoni dhe Letoni, por edhe në Poloni (mes të tjerësh) gjatë vitit të kaluar.

Avionët “A-10”, të njohur gjithashtu edhe si “derrat e egër afrikanë” janë dizenjuar gjatë viteve ’70 për të mbështetur trupat tokësore në Europë kundër tankeve dhe mjeteve të blinduara të ish-Bashkimit Sovjetik. Edhe pse avionët mund të mbajnë një varietet bombash dhe raketash, ato njihen më së shumti për hundën e montuar të tyre, me 7 fuçi armësh të kalibrit 30 mm, që mund të qëllojnë deri në 4000 plumba në minutë, të mjaftueshme për të hedhur në erë me shpejtësi një tank.

Avionët janë gjithashtu të durueshëm nga të shtënat nga toka, me pilotin të mbrojtur nga një mbështjellëse titani, e quajtur shpesh edhe si “vaskë”. Ato janë të dizenjuar për riparime të lehta nëpër zonat e luftës, me pjesë të këmbyeshme për krahët majtas dhe djathtas avionit. Kapacitetet luftarake të tyre janë sprovuar edhe në luftrat e Irakut, Afganistanit, por edhe në Ballkan.

Top Channel