UNHCR: Tragjedia e fundit në Mesdhe mund të ishte parandaluar

12/02/2015 00:00

Mbytja e më shumë se 300 emigrantëve në detin Mesdhe gjatë kësaj jave mund të ishte parandaluar, thonë ekspertët, nëse do të kishte dispozita më efektive nga BE për shpëtimin e jetëve.

Agjencia e OKB për refugjatët, UNHCR, bëri të ditur se shumë më tepër emigrantë janë duke humbur jetët për shkak se përpjekjet për kërkim-shpëtimin e tyre janë reduktuar. Patrullimi madhor i Italisë dhe operacionet e shpëtimit morën fund vitin e kaluar. Edhe një operacion i përmasave më të vogla të BE-së, Triton, është anuluar gjithashtu.

UNHCR ka shtuar se rreth 3500 emigrantë kanë humbur jetët në përpjekje për të kaluar detin Mesdhe drejt Europës gjatë vitit 2014. Në fatkeqësinë më të fundit detare, më shumë se 300 vetë u mbytën në det pasi 4 gomone me të cilat po udhëtonin, hasën probleme në brigjet e Libisë, duke i hedhur ata në ujë. Ky është një nga kurset më të favorshme të ndjekur nga trafikantët, por më të rrezikshmet për të kaluar drejt Europës.

“Kemi paralajmëruar këdo në tetor, se duke ulur tensionet dhe kapacitetet operacionale për kërkim-shpëtimin, këto gjëra mund të bëhen të shpeshta”, tha Carlotta Sami, përfaqësuese e UNHCR për Europën jugore.

Ajo shtoi se tragjedi si kjo e fundit mund të ndodhin sërish, nëse BE nuk merr veprime të menjëhershme për të përshkallëzuar operacionet e saj të kërkim-shpëtimit. “BE ka bërë shumë pak dhe ka vepruar tepër vonë”, tha ajo. “Fluksi i refugjatëve dhe emigrantëve që duan të kalojnë Mesdheun nuk do të ndalet me kaq”.

Trupat e emigrantëve të mbytur janë dërguar në ishullin italian të Lampeduzës, gjatë së mërkurës, ku ata janë radhitur përgjatë një porti, ndërkohë që edhe një aeroport i vjetër është përdorur si një morg i përkohshëm.

Shumë prej viktimave humbën jetën pasi u përpoqën të kalonin Mesdheun në kushte të vështira dhe të akullta, ndërsa disa të tjerë edhe më të pashpresë humbën jetën gjatë një operacioni shpëtimi të rojes bregdetare italiane.

Në nëntor, Italia i dha fund operacionit të saj të njohur si “Deti Jon”, që nisi në tetor të vitit 2013 në kundërpërgjigje të tragjedisë së Lampeduzës, ku mbetën 366 viktima. BE-ja ka aktualisht një operacion për kontrollin kufitar, “Triton”, që operon shumë pranë brigjeve europiane dhe ka shumë më pak anije.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) bëri të ditur se më shumë njerëz duhej të ishin shpëtuar gjatë fatkeqësisë së fundit.

Top Channel