Top Story, përplasja e madhe President-mazhorancë

12/02/2015 00:00

Një deklaratë e Presidencës në orët e mbrëmjes së të enjtes, ku përdorej një gjuhë e drejtpërdrejtë kundër Kryeministrit dhe mazhorancës për atë që kreu i shtetit në deklaratë e quan një fushatë shpifjesh ndaj tij, paralajmëron që marrëdhënia e brishtë mes shumicës së majtë dhe Presidentit Nishani po futet në një tjetër spirale përplasjesh edhe më të ashpra.

Kjo përplasje u diskutua në pjesën e parë të Top Story këtë të enjte me gazetarin Sokol Balla.

Reagimi i Presidentit mbërrin pas leximit nga ana e deputetit Taulant Balla në parlament të një letre drejtuar Kryeministrit Rama dhe publikut nga udhëheqësit e katër komuniteteve fetare në Elbasan ku deklarojnë se një familje me pushtet ka ndërhyrë në vendimin e Gjykatës së Lartë për të shembur një kishë katolike dhe për t’i rikthyer pronën pronarit.

“Kam pasur një detyrim publik dhe qytetar dhe si deputet i Qarkut të Elbasanit dhe kam lexuar në Kuvend një letër të katër drejtuesve të katër komuniteteve fetare të Elbasanit, atij mysliman, bektashi, ortodoks dhe atij katolik, që në një rast të paprecedentë i drejtohen Kryeministrit për të denoncuar një vendim të Gjykatës së Lartë së fundmi që vendos të shembet një kishë dhe toka t’i kthehet një familjeje me mbiemër Karaosmani, që ka si pasardhës të vetëm bashkëshorten e Presidentit. Ata citojnë një pushtetar dhe unë i jam drejtuar Kryeministrit dhe deputetëve me këtë letër”, tha në studio deputeti Taulant Balla.

Balla akuzoi sërish Presidentin se ka qenë arbitrar me vendimet e tij, më shumë se çdo president tjetër dhe e cilësoi një skandal akuzat e komuniteteve fetare.

“Në të gjithë punën ka qenë partizan, ka kthyer më shumë ligje se çdo president tjetër, por tek kjo çështja e sotme nuk gjej arsyen se përse. Zotëria, në radhë të parë të shpjegojë akuzën e katër besimeve fetare në Elbasan, mediat e kanë pasqyruar sot. Ky është rasti i parë që një familje fiton një gjyq të tillë”, tha Balla.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Leonard Olli tha se nuk ishte në dijeni të rastit në fjalë, por mbrojti pretendimet e Presidentit kur tha se ndaj tij ka patur një goditje të përqendruar nga ana e mazhorancës.

“Që ka një sulm të përqendruar ndaj Presidentit ka. Që nga dita e parë e kësaj qeverie kur shkeli kushtetutën dhe ndryshoi foton, që me heqjen e kompetencave një nga një e me radhë. Nishani është një ndër presidentët më të përndjekur”, tha ai.

Deputeti socialist, Taulant Balla shtoi se rasti në fjalë nuk ka të bëjë me asnjë marrëdhënie mes mazhorancës dhe Presidentit, por mes katër besimeve fetare që dalin në mbrojtje të shqetësimit të komunitetit katolik në Elbasan.

Avokati Alfred Duka, i ftuar në panel tha se deri më sot nuk ka ndodhur që një territor historik apo në shërbim publik t’u jetë kthyer pronarëve.

Zhvillime të reja pritet të ndodhin në ditët në vazhdim, por për të sqaruar vetë këto akuza të enjten e ardhme në TOP STORY do jetë në një intervistë të drejtpërdrejtë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA