Përgjimet në Maqedoni, diplomati i ri amerikan: Hetime transparente

12/02/2015 00:00

Ambasadori i ri amerikan në Shkup, Jess L. Baily, i dorëzoi të enjten letrat kredenciale presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov.

Menjëherë pas takimit me Ivanovin, diplomati amerikan ka komentuar aferën e përgjimeve masive dhe akuzat e ngritura nga pushteti kundër liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, për puç shtetëror.

Ai kërkoi nga autoritetet maqedonase procedurë të drejtë dhe transparente për këtë rast, dhe tha se pret që institucionet t’i tejkalojnë këto sfida duke përmbushur standardet evropiane.

“Bëhet fjalë për çështje të ndjeshme politike. Hetimet vazhdojnë dhe ato duhen trajtuar në mënyrë transparente dhe të hapur, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, sundimin e së drejtës, lirinë e medieve. Besoj se është një situatë, të cilën populli në Maqedoni, liderët politikë dhe institucionet do ta zgjidhin”, tha Jess L. Baily, ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

Ambasadori Baily, gjatë ceremonisë së akreditimit, tha se SHBA-të janë aleatë të Maqedonisë dhe duan ta shohin atë si një vend të fuqishëm me demokraci multietnike, të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

Diplomati i ri amerikan ka mbërritur në Shkup prej ditës së hënë. Ai njihet si diplomat karriere, ndërsa në Maqedoni do të zëvendësojë ambasadorin e deritanishëm, Paul Wohlers.

Top Channel