Komunat e izoluara në Korçë, Lekasit pa komunikim prej 31 dhjetorit

11/02/2015 00:00

Dëbora e ngricat vazhdojnë të mbajnë të izoluar Komunen e Lekasit. Prej
31 dhjetorit banorët kanë mundur të dalin nga fshati vetëm një herë,
ndërkohë që prej 4 ditësh ai është i izoluar totalisht.

150 familje të kësaj komune pavarësisht emergjencave dhe nevojave të tyre çdo vit të përballen jo vetëm me dimrin e ashpër, por edhe me bllokimin që u mbyll atyre çdo shteg të lëvizjes duke u sjellë jo pak probleme.

Ndërsa ngritja disi e temperaturave ka bërë që instancat të nisin menjëherë punën për të hapur rrugën, përsëritja e kësaj situate është vërtet alarmante.

Izolimi u sjell atyre pengesë tek fëmijët që ndjekin shkollën, probleme me energjinë elektrike, pamjaftueshmëri të ushqimit për vete e për bagëtinë, ndërsa në rast të emergjencave shëndetësore situata mund të zgjidhet vetëm nga ajri.

Komuna, problematika e së cilës nuk ka të ndalur prej vitesh, nuk njeh asnjë investim infrastrukturor. Përveç sasisë së madhe të borës si pasojë e lartësisë gjeografike që ajo ka shtohet edhe mungesa e infrastrukturës e cila e bën më shqetësuese gjendjen e saj.

Top Channel