Rifillojnë punimet për ndërtimin e kullave te Liqeni Artificial

10/02/2015 00:00

Në këto ditë, kur e gjithë vëmendja politike dhe mediatike është
përqendruar në zonat e përmbytura në jug të vendit, poshtë digës së
liqenit kanë rinisur punimet dhe po hapen gropat për ndërtimin e
pallateve gjigande.

Para pak javësh, IKMT-ja ndërpreu punimet te diga e liqenit artificial, për ndërtimin e 17-katësheve në këtë kompleks. Inspektoriati shtetëror tha në argumentimin e tij se janë shkelur vendimet e Qeverisë.

Leja e dhënë nga Bashkia, është bazuar në akte që nuk kanë marrë ende fuqi. IKMT-ja tha se vendimi i Bashkisë ishte në kundërshtim me ligjin për planifikimin e territorit dhe se vendimi nuk ishte i shoqëruar me planvendosjen e objektit.

Duke parë se ndërtimi është 10 metra larg digës së Liqenit Artificial, është e nevojshme marrja e lejes nga Komiteti i Digave që është në varësi të qeverisë. Por kur kjo e fundit, akoma nuk ka konfirmuar vazhdimin e punimeve, punimet vazhdojnë në mes të ditës, ku makina të tonazhit të rëndë punojnë pa asnjë problem për hapjen dhe pastrimin e gropës.

Nga ana e tjetër as opozita nuk ka pasur ndonjë qëndrim për të kundërshtuar këtë ndërtim në mushkërinë e vetme që i ka mbetur Tiranës.

Top Channel