SKËNDER MINXHOZI – Skender MinxhoziKur mijëra njerëz vërshuan krejt
papritur në rrugët e Tiranës, për të protestuar kundër shkatërrimit të
stokut kimik të Sirisë në territorin shqiptar, shumëkush tha se kjo
krizë u importua nga larg dhe u shfaq në ambientin shqiptar krejt
papritur, si nga hiçi.
Për pasojë, ajo u mbyll ashtu si nisi: me një protestë masive që mbaroi bashkë me vendimin për mospranimin e armëve siriane, si dhe me një bisht të gjatë polemikash politike, që vijuan edhe pas mbarimit të vetë krizës.
Sot ndodhemi përballë një realiteti të përmbysur. Kriza e përmbytjeve është ndoshta më e lexueshmja, më e vjetra dhe njëherësh më e pakonsideruara nga klasat drejtuese, pas rënies së komunizmit. Kemi parë gjithçka në dy dekada, në lidhje me përmbytjet: premtime të pambajtura, qytete ku lëvizej me varka nga periferia në qendër, abuzime me ndihmat, ose devijime fondesh, pasi më e keqja kishte kaluar. Në një rast flagrant që daton nga përmbytjet e përsëritura të vitit 2010, kujtohet sesi në verë, kur vërshimet e ujërave kishin lënë pas kompensimet e papaguara të qeverisë për fshatarët e Shkodrës, Parlamenti i kohës vendosi pa u ndier, që të spostonte fondet që vetë ai, pra Parlamenti, kishte votuar që të kaloheshin për zonat e përmbytura, në mes të emergjencës. Paratë që ishin planifikuar për hidrovore, kanalizime dhe vepra të tjera hidrike, u orientuan drejt vrimave të panumërta që një buxhet i një vendi të varfër si Shqipëria i ka me shumicë, në çdo periudhë të vitit. Histori e vjetër dhe banale.
Ai rast, i cili në fakt është përsëritur dhjetëra herë në 25 vjetët e fundit, shënon triumfin e kulturës së moskokëçarjes, të cilën klasa politike shqiptare e ka shumë të zhvilluar. Sidomos kur është fjala për të shkatërruar (me veprime, mosveprime, vendimmarrje konkrete apo thjesht indiferencë), ambientin shqiptar. Nëse ka një krim i cili është konsumuar në këtë vend, e që sot është më i pariparueshëm se gjithçka tjetër, ky është masakrimi i ambientit. Viti 1997, kriza e 1998 apo ato të mëvonshmet, nuk janë asgjë, para përdhosjes që i kemi bërë faqes së këtij vendi. Shumë aspekte të shkatërrimit të mjedisit janë tashmë të pakthyeshme. Ekspertë të pyetur me rastin e përmbytjeve të fundit, janë shprehur se për të gjitha shkaqet e mësipërme, erozioni i merr Shqipërisë çdo vit jo më pak se 90 milionë tonë tokë. Një copë e madhe territori, që çdo vit merr turravrapin drejt detit. Dramatike!
Në dy dekada, u zaptuan tokat bujqësore të asaj që në orën e gjeografisë, kur ishim të vegjël, na kanë mësuar se quhet Ultësira Perëndimore. Mijëra ndërtime mbinë si kërpudhat ngado, prej Shkodre e deri në Vlorë, duke shkatërruar kanalizime, prishur hidrovore, sisteme kullimi e ujitjeje. Duke zënë, mbi të gjitha, tokë të vlefshme që mund dhe duhej përdorur jo si truall ndërtimi, por si tokë që prodhonte të mira materiale. U prenë masivisht pyjet, u gërryen deri në palcë lumenjtë, u tjetërsuan kullotat, parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura. Shqipëria ishte (dhe ende është) vendi ku ke të drejtë të bësh ç’të duash me ambientin. Mjafton të shohësh lehtësinë kriminale me të cilën janë ngritur qindra mijë metra ndërtime abuzive në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, për të kuptuar se këtu te ne kanë shumë pak respekt për të sotmen. Dhe akoma më pak, për të ardhmen.
Për të gjithë ata që i kujtojnë fillim-vitet ’90, është i gjallë vërshimi i urbanizimit të dhunshëm e të deformuar që pësoi Shqipëria e asaj kohe. Ishte triumfi i kulturës së antishtetit, momenti kur në emër të luftës kundër komunizmit, u tjetërsuan male e kodra, u zaptuan rrethinat e qyteteve dhe u fshinë nga faqja e dheut të gjitha rregullat që mbanin në këmbë jo ndonjë sistem apo ideologji, por autoritetin e shtetit dhe të ligjit. Sot vuajmë pasojat që nguliti ajo periudhë në ADN-në e shqiptarit të zakonshëm, e që më vonë, si për ta përmbushur skenarin apokaliptik, do të sillte edhe fajdet dhe vitin e mbrapshtë ’97.
Nëse e vendos përmbytjen aktuale në këtë “skenar lufte” njëzetvjeçare, vëren se po jetojmë një inerci që nuk dihet se kur do të marrë fund. Qeverisjet e shkruara (më së pari ajo që iku në vitin 2013), e humbën publikisht bastin e madh me natyrën. Jo pa të drejtë mund të thuhet se krahasimi nuk mund të bëhet më, me ata që toleruan katër përmbytje të Shkodrës brenda një viti kalendarik. Qeveria “Rama” erdhi me ambicie dhe premtime jo të vogla edhe në drejtim të fshirjes nga kujtesa, të traumës së përmbytjeve. Është koha që realiteti i dhimbshëm i Novoselës, Darëzezës apo fshatrave të tjera që sot vuajnë nga ujërat e Vjosës, të shihet më në fund të sy. Jo si emergjenca humanitare e radhës, që shërohet me batanije, thasë mielli dhe konserva. Rregullimi i kësaj situate absurde është kompleks dhe i kushtueshëm.
Mbi të gjitha, normaliteti fillon te forcimi i autoritetit të shtetit dhe ndalja e instinktit vetëshkatërrues, që ka hyrë thellë në indin e këtij populli. Të bësh politikë mbi gomone, siç po ndodh sot mes dy palëve, është gjëja më e pavend dhe e kotë. Askush nuk fiton dot politikisht nga kjo situatë. As ata që e lanë buxhetin e shtetit pa paratë e emergjencave, as ata që sot përballen të pafuqishëm me një sfidë që është me e madhe se çdo qeverisje e këtij vendi.
Top Channel