Kina gjobit me 975 mln $ gjigandin amerikan të teknologjisë

10/02/2015 00:00

Prodhuesi amerikan i qarqeve elektronike, Qualcomm do t’i paguajë një gjobë marramendëse prej 975 milionë dollarë qeverisë kineze, për t’i dhënë fund një hetimi mbi liçencat e praktikave të saj.

Gjoba është më e madhja në historinë e koorporatave në Kinë dhe kompanisë do t’i duhet të ulë kuotat për patentat e saj të përdorura në tregun kinez të telefonisë së lëvizshme.

Nga ana tjetër, kjo lëvizje mund t’u leverdisë prodhuesve kinezë të telefonëve inteligjentë, Xiaomi dhe Huawei. Kompania Qualcomm deklaroi të hënën se nuk do ta kontestojë vendimin se ka shkelur ligjin anti-monopol të Kinës.

“Edhe pse Qualcomm është e zhgënjyer me rezultatet e hetimit, ajo është e kënaqur që autoritetet kanë rishikuar dhe aprovuar planin e saj të reformimit”, tha gjigandi i teknologjisë të hënën në një komunikatë për shtyp.

Firma, që është dhe furnizuesja më e madhe me qarqe elektronike që përdoren për telefonët inteligjentë, do ta çojë kuotimin e saj në 65 për qind të çmimit të shitjes të telefonëve në Kinë, në vend të çmimit total.

Zgjerimi i rrjetit të shpejtësisë së lartë 4G në Kinë po rrit kërkesën në vendin që përbën tregun më të madh të telefonëve smart dhe ku Qualcomm luan një rol kyç.

Kompania amerikane bëri vitin e kaluar në Kinë thuajse gjysmën e fitimeve të saj në rang global, 26.5 miliardë dollarë.

Top Channel