Greqia me ‘plan B’ përballë Europës: I drejtohemi SHBA, Rusisë ose Kinës

10/02/2015 00:00

Qeveria e re greke kërkon të bindë partnerët e europianë për rishikimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria e mëparshme, por ka hasur në refuzimin e prerë të Berlinit, që i ka kërkuar drejtuesve të rinj grekë që të vazhdojnë me rrugën e reformave shtrënguese dhe të bashkëpunojnë me “Trojkën”, që Syriza e refuzon.

Palët do të përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët të mërkurën, në mbledhjen e Ministrave të Financave të Eurozonës, ku ai grek, Yanis Varoufakis do të paraqesë planin grek për çështjen e borxhit.

Ajo që synohet nga Athina është arritja e një marrëveshjeje lidhëse me afat deri më 31 gusht të këtij viti, ku do të përfshihen 70 përqind e reformave ekzistuese, ndërsa 30 përqind e masave të konsideruara ‘toksike’ për shoqërinë nga radikalët e majtë të zëvendësohen me 10 reforma të reja.

Ky do të jetë propozimi i Greqisë për partnerët europianë dhe nëse refuzohet edhe ky, nga Athina aleati i Syriza-s në qeveri paralajmëroi “planin B”.

Ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, njëkohësisht kryetar i Grekëve të Pavarur në koalicion me Syriza-n tha se nëse nuk arrihet një marrëveshje me partnerët europianë, Greqia do të shtrijë dorën e ndihmës diku tjetër.

Ai përmendi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën si huadhënës potencialë.

“Ne duam një marrëveshje, por nëse nuk ka një të tillë, nëse Gjermania qendron e ngurtë dhe dëshiron të përçajë Europën atëherë do të detyrohemi të shkojmë te plani B duke kërkuar burime të tjera financimi nga vende të tjera. Në rastin më të mirë mund të jenë Shtetet e Bashkuara, mund të jetë Rusia, Kina apo edhe ndonjë vend tjetër”, deklaroi Kamenos.

Shkurti do të jetë një muaj përcaktues sa i takon marrëdhënies së Greqisë dhe huadhënësve të saj. Axhenda nis me takimin e Ministrave të Financave më 11 shkurt. Një ditë më vonë takohen udhëheqësit e BE-së në Bruksel dhe në 28 shkurt përfundon programi aktual i kreditimit dhe deri në fund të muajit mars Athinës do t’i nevojiten rreth 4.3 miliard euro.

Top Channel