Gjermania ka reaguar sërish gjatë së hënës, duke thënë se ekzistojnë “zero” mundësi, që Berlini zyrtar t’i paguajë shpërblimet për Luftën e Dytë Botërore Athinës, pas kërkesës së ribërë nga kryeministri i ri i radikalëve të majtë, Alexis Tsipras.

Tsipras, në fjalimin e parë madhor përpara Kuvendit gjatë së dielës, bëri të ditur planet për të shpërbërë programin e masave shtrënguese të Greqisë, përjashtoi çdo mundësi të një shtyrje të programit ndërkombëtar të shpëtimit prej 240 miliardë eurosh, si dhe u angazhua se do të kërkonte shpërblimin e luftës nga Berlini.

Kërkesa për kompensim, e risjellë në jetë nga një qeveri e kaluar greke në vitin 2013 por që nuk u ndoq më tej, u refuzua menjëherë nga Sigmar Gabriel, zëvendëskancelari i Gjermanisë dhe ministër i Ekonomisë.

“Probabiliteti është zero”, tha Gabriel, kur u pyet nëse Gjermania do të bënte një pagesë të tillë ndaj Greqisë, duke shtuar se traktati i nënshkruar 25 vjet më parë i dha fund të tilla pretendimeve.

Gjermania dhe Greqia ndajnë bashkë një histori komplekse, e cila ka komplikuar edhe debatin e borxheve. Greqia ishte pushtuar nga trupat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çështje që ka dalë sërish në sipërfaqe, që kur Athina u detyrua të ndërmerrte reforma shtrënguese në këmbim të kësteve të shpëtimit, pjesërisht të financuara nga partnerët e eurozonës por dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Shumë grekë kanë fajësuar superfuqinë e eurozonës, Gjermaninë, për shtrëngimet financiare, gjë që ka çuar në një rigjallërim të pretendimit të fjetur kundër Berlinit për miliarda euro shpërblime nga lufta.

Si pjesë e një apeli më të gjerë ndaj Europës për solidaritet, ministri i ri i Financave të Greqisë ka sugjeruar një paralele mes vendit të tij dhe rritjes së nazizmit në Gjermaninë e falimentuar të viteve ’30, duke pasur për referim këtu partinë e ekstremit të djathtë në Greqi, Agimin e Artë.

Gabriel iu referua “Traktatit të Zgjidhjes Përfundimtare në lidhje me Gjermaninë”, i njohur ndryshe edhe si “Traktati 2+4” i nënshkruar në shtator të vitit 1990 mes ish-Gjermanive Perëndimore dhe Lindore si dhe 4 aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht përpara ribashkimit të Gjermanisë me rënien e Murit të Berlinit.

Top Channel